Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi priti sot në takim Shefin e Operacioneve Civile të Bashkimit Evropian, Kenneth Dean, Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar dhe Shefin e Misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Gabrielle Meucci.
Sipas njoftimit nga Ministria e Drejtësisë, gjatë këtij takimi, ministri Kuçi dhe përfaqësuesit e BE-së diskutuan çështjet që ndërlidhen me mandatin e EULEX-it në Kosovë, për pozicionet rreth kësaj çështje dhe nevojën për konkludim sa më të shpejtë të një marrëveshje.
Ministri Kuçi shpalosi para të pranishmëve pozicionin e Kosovës dhe gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ushtruar kompetencat në fushën e gjyqësorit.
Në anën tjetër Dean njoftoi ministrin Kuçi se Bashkimi Evropian është i interesuar për të ndihmuar forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes misionit të BE-së dhe formave të tjera përderisa këto të konsiderohen të domosdoshme. /Telegrafi/