Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh ministër i Shëndetësisë, Uran Ismaili i është bashkuar grupit të zyrtarëve të tjerë nga kjo parti me reagime ndaj shkrimit të Isa Mustafës.
Isa Mustafa ka thënë sot se Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk e ka themeluar ai e as LDK-ja, por e ka nënshkruar presidenti Hashim Thaçi më 19 prill 2013.
Ismaili përmes një shënimi në Facebook ka shënuar se është e vërtetë se për Asociacionin ka dy marrëveshje, ajo e 19 Prillit 2013 dhe e 25 gushtit 2015, por sipas tij Isa Mustafa nuk po tregon se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar vetëm marrëveshjen e nënshkruar nga ai.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës ka thënë se “PDK-ja nuk mund ta bëjë LDK-në më të përgjegjshme, por mund t’i demaskojë të pavërtetat e saja publike”.
Postimi i plotë
Një përgjigje ndaj kryetarit të LDK-së Isa Mustafa, me fakte, e jo me gjuhën e përdorur nga ai:
Isa Mustafa paska thënë se Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe nuk e ka bërë ai, por Hashim Thaçi. Ai po thotë gjysmë të vërteta në mënyrë që të prodhojë një të pavërtetë të madhe. Është e vërtetë se për Asociacionin ka dy marrëveshje, ajo e 19 Prillit 2013 dhe e 25 gushtit 2015.
Mirëpo Isa Mustafa në një përpjekje për t’u shfajësuar për dëmin që ka bërë, nuk tregon se Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar vetëm marrëveshjen e nënshkruar nga ai. Ndërkohë që Marrëveshja e parë është edhe sot në harmoni të plotë me frymën kushtetuese.
Në përpjekjen e tij për të fshehur shkeljen e rëndë që i ka bërë Kushtetutës së vendit, Isa Mustafa thotë se nuk ka asnjë dallim mes këtyre dy marrëveshjeve. Kjo poashtu është një e pavërtetë e pastërt sepse Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj thotë se marrëveshja e Isa Mustafës i jep Asociacionit kompetenca ekzekutive.
Gjykata ka ardhur në përfundim se marrëveshja e parë, e nënshkruar nga Hashim Thaçi, nuk i jep Asociacionit kompetenca ekzekutive, ndërkohë që marrëveshja e dytë, e nënshkruar nga Isa Mustafa, e bën Asociacionin nivel të tretë qeverisës në vend. Gjykata Kushtetuese, që është autoriteti më i lartë i interpretimit të Kushtetutës së Kosovës demanton fuqishëm Isa Mustafën.
Të gjitha këto vendime Gjykata Kushtetuese i ka sanksionuar në Aktgjykimin e saj për Rastin nr. K0130/15 të publikuar më 23 dhjetor 2015. Të gjithë ata që kanë dyshime mund t’i lexojnë vetë marrëveshjet dhe vendimin e Gjykatës dhe ta shohin me sytë e tyre se si Isa Mustafa mundohet t’u hedhë hi syve dy milionë kosovarëve.
Por kjo e pavërtetë e tij nuk duhet ta befasojë askënd. Ka kohë që LDK-ja është duke u munduar të hedhë fajin për shkeljet dhe gabimet e veta tek dikush tjetër. E këtë nuk do ta lejojmë. LDK-ja po tregon edhe një herë se nuk është në gjendje të marrë përgjegjësi as për gabimet kardinale në të kaluarën, e as për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
E qytetarët e Republikës tonë e dinë se është po kjo LDK që solli një asociacion me kompetenca anti-kushtetuese.
Qytetarët e Republikës së Kosovës nuk kanë harruar se është po kjo LDK që e pamundësoi transforminin e FSK-së në ushtri të plotë. A mos po gënjejmë edhe këtu?
E mbetur pa kredibilitet udhëheqës nga gabimet e rënda në të kaluarën, sot është më se e qartë se kjo parti vuan nga mungesa e guximit për të marrë pjesë në procesin e ardhshëm dhe më të rëndësishëm që nga shpallja e pavarësisë.
Prandaj ajo është e detyruar të zgjedhë të pavërtetën dhe fajësimin e tjerëve si mënyrat e vetme për t’u ikur detyrimeve kombëtare e shtetërore. Fatkeqësisht, PDK-ja nuk mund ta bëjë LDK-në më të përgjegjshme, por mund t’i demaskojë të pavërtetat e saja publike, mu si në këtë postim.
Të pavërtetat nuk do t’i lejojmë. Secili duhet të përballet me të bëmat e veta. Isa Mustafa dhe LDK-ja nuk bëjnë përjashtim./Telegrafi/