Site icon Telegrafi

Vazhdon bojkotimi i mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, reagon Këshilli i Prindërve në Prishtinë

Profesorët në gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë edhe sot në ditën e katërt kanë vazhduar me bojkotimin e procesit mësimor, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës së emërimit të drejtoreshës së re.

Profesorët po e kundërshtojnë emërimin e drejtoreshës Fahrije Retkoceri, duke thënë se është emëruar jashtëligjshëm.

Lidhur me këtë bojkot të procesit mësimor, ka reaguar Këshilli i Prindërve në Prishtinë, duke thënë se kërkesat e mësimdhënësve për bojkotimin e mësimit në gjimnazin “Sami Frashëri”, janë të pajustifikueshme.

Në një reagim në Facebook, kryesia shkruan se çështjet e tilla duhet të trajtohen nga organet përgjegjëse, dhe se “vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë, shfaq dhe tregon për prezencë në ndikimin që kanë strukturat joformale”.

“Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes. Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mos mbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme”, thuhet në njoftim.

Kryesia u ka bërë thirrje institucioneve vendimmarrëse të marrin masa ndaj bojkotit dhe mësimi të rifillojë.

Reagimi i plotë:

Reagim për bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë

Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë shpreh pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë.
Arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri, në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse. Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona, dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve intitucionale.

Në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes.

Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme!

Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe fillimi të rifilloj.

Lëreni lojërat e mos i përdorni fëmijët tanë si mish për top! Shkollat janë për fëmijët e të fëmijëve! /Telegrafi/

Exit mobile version