FBK-ja të premten mbrëma përmes një njoftimi ka bërë të ditur se janë shtyrë për të mërkurën e të enjten ndeshjet e parapara të luhen këtë fundjavë. Në fundjavë është dashur të luhet java e 23-të e BKT Superligës në basketboll dhe xhirot e rregullta në ligat tjera.
Të premten është dashur që të mbajë mbledhje Bordi i FBK-së që të diskutojë për vendimin e Shoqatës së Gjyqtarëve për të bojkotuar aktivitetet e federatës, përkatësisht për të mos drejtuar ndeshjet. Por mbledhja e Bordit nuk u mbajt në mungesë të kuorumit dhe rrjedhimisht u mor vendimi për të shtyrë xhiron.
"Bordi i FBK-së për shkak të mungesës së kuorumit (për arsye se disa anëtarë të tij për momentin gjenden jashtë vendit) nuk e mbajti mbledhjen e konvokuar për sot, ku për rend dite kishte vendimin e Shoqatës së Gjyqtarëve të Basketbollit të Kosovës. Kjo mbledhje është shtyrë për të martën, ku do të shqyrtohet vendimi i SHGJBK-së”.
“Për këtë arsye ndeshjes e xhiros së 23-të të BKT Superligës, ndeshjes e xhiros së njëmbëdhjetë të Ligës së parë dhe ndeshjet e të gjitha kategorive të grupmoshave të reja shtyhen për mesjavë, ditën e mërkurë e të enjte", thuhet në një njoftim të komesarit të garave, Tajar Rifati.
Shoqata e Gjyqtarëve të mërkurën mori vendim për të nisur bojkotin nga e premtja nëse ndërkohë nuk merret vendimi për të suspenduar anëtarin e Bordit të FBK-së, Alban Lumin.
Sipas gjyqtarëve, Lumi ka shkaktuar intriga, akuza të pabaza, trillime, shpifje dhe kështu ka ndikuar në autoritetin e gjyqtarëve të basketbollit. Gjyqtarët e kanë akuzuar Lumin se ka provuar të kurdisë një ndeshje të Superligës. /Telegrafi/