Telegrafi

Vazhdon aksionin policor për kapjen e autorëve të vrasjes së trefishtë në Gjakovë

Dje rreth orës 16:30 qyteti i Gjakovës është tronditur nga vrasja e tre personave që ndodhi në kafiterinë “Deep Bar”.

Pas të shtënave me armë të zjarrit kanë mbetur të vdekur dy vëllezërit Valon dhe Ali Islamaj dhe Zef Krasniqi.

Policia kishte dalë menjëherë në vend të ngjarjes dhe kishte nisur një aksion të gjerë për arrestimin e kryerësve të veprës emrat e të cilëve janë Qëndrim Shala dhe Veton Gjoshi.

Deri më tani sipas Policisë në Gjakovë nuk është arrestuar asnjëri nga kryerësit e kësaj vepre.

Zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Lirie Podrimaj ka thënë për Telegrafin se deri më tani nuk ka asnjë të re sa i përket rastit në fjalë, dhe se nuk ka të arrestuar.

Ajo ka shtuar se aksioni për kapjen e kryerësve të kësaj vrasje të është duke vazhduar.

Motivi i kësaj vrasjeje ishte hakmarrja, ngaqë edhe më herët ka pasur konflikt në mes të këtyre personave./Telegrafi/