Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Doganat dhe Prokurorinë, Inspektorati i Tregut në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, po vazhdon me aksionin për kontrollin e tregut të naftës brenda territorit të Republikës Kosovës.
Sot, aksioni është përqendruar në kontrabandën e naftës. Me këtë rast janë inspektuar dhjetëra pika shitëse, janë kontrolluar depo të dyshimta për mbajtjen dhe shitjen e derivateve të kontrabanduara si dhe përpunuesit e vajrave të rënda motorike. Inspektorët kanë marr mostra të derivateve të cilat i kanë dërguar në laboratorët e akredituar për vlerësim. Rezultatet e tyre pritet të dalin shumë shpejt.
Ky aksion, vjen pas dy aksioneve të jashtëzakonshme paraprake, për kontrollin cilësisë së karburanteve (dizel dhe benzinë) në pikat shitëse me pakicë dhe aksionit të kontrollit të cilësisë gjatë importit.
Të dhënat preliminare të rezultateve të analizave të cilësisë së karburanteve në pikat shitëse me pakicë dhe importit të rregullt kanë dalë të jenë konform standardeve të përcaktuara për tregti me karburante të lëngëta. Dyshimet më pas janë ngritur për cilësinë e karburanteve që mund të hyjnë në mënyrë ilegale dhe të cilat mund të tregtohen në pika ilegale të shitjes së karburanteve të kontrabanduara. Ministri, Ismet Mulaj dhe kryeinspektori Lulzim Syla, në bazë të këtyre dyshimeve kanë kërkuar kontroll shtesë të kontrabandës dhe krimit të organizuara me karburante.
MTI i siguron qytetarët se do të vazhdoj të jetë e angazhuar në luftë të kontrabandës dhe krimit të organizuar me karburante të lëngëta, në mënyrë që konsumatorëve tu ofrohet karburante të cilësisë së lejuar sipas standardeve evropiane. Njëkohësisht ftojmë të gjithë konsumatorët që në rast të dyshimit për cilësinë dhe sasinë e karburanteve të drejtohen në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë përkatësisht Departamentin e mbrojtjes së konsumatorit. /Telegrafi/