Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” është duke vazhduar aksionin për shkyçjen e borxhlinjve.
Gjithashtu, KRU “Prishtina”, po ashtu po bën edhe zbulimin e kyçjeve ilegale, ku deri tani ka njoftuar se ka shkyçur disa lidhje, transmeton Telegrafi.
“Lagjja “Premiere” në Çagllavicë në rrugën “Xhemi Shea”, sapo u shkyç, ujëmatësin e pa legalizuar dhe me borxh 1059 euro. Në Çagllavicë një shtëpi e pa legalizuar, u shkyç. Veternik, lidhje ilegale, u shkyç. Inspektorët e KRU” Prishtina” në terren dhe sapo zbuluan kyçje ilegale në Çagllavicë dhe në rrugën “Muharrem Fejza”. Vazhdojmë deri në orët e vona”, thuhet në njoftimin e bërë nga KRU “Prishtina”.
Në njoftimin e bërë për media, KRU “Prishtina”, thotë se përkrahë të gjithë inspektorët, të cilët po vazhdojnë punën në temperatura të larta.
Ndryshe, KRU “Prishtina”, para disa ditëve ka njoftuar se borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro.
“Borxhi ndaj shërbimeve të ujit është mbi 45 milionë euro, 40 milionë euro nga sektori i amvisërisë dhe mbi 5 milionë nga sektori i bizneseve të vogla e të mëdha. Nuk ka ujë të pijshëm pa paguar faturat e ujit, ngase kemi një kosto të lartë të trajtimit të ujit dhe shpërndarjes përmes tubacioneve primare, sekondare e terciare deri te konsumatorët”./Telegrafi/