Sërish tensione në selinë e Kuvendit të Shqipërisë, teksa pritej të fillonte mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Deputetët e opozitës të përjashtuar një ditë më parë për shkak të sjelljes së tyre në seancën e fundit parlamentare kanë tentuar të hyjnë me forcë në ambientet e sallës ku do të mbahej mbledhja.
Mes tyre dhe kryetari i grupit të PD-së, Gazment Bardhi, i cili është mes të përjashtuarve, për shkak të bllokimit të foltores, javën e kaluar. Bardhi ka pasur dhe një debat me tone të larta me kryetaren e Kuvendit, Lindita Nikolla, të cilët i ka kërkuar arsyen se përse është përjashtuar, teksa nuk ka pasur një përgjigje prej saj.
Nikolla është parë në shkallët e Kuvendit e shoqëruar gjatë gjithë kohës nga garda.
Ndërkohë, e kushtëzuar nga situata e krijuar, deputetët e mazhorancës, kanë kërkuar një sallë tjetër për të zhvilluar mbledhjen pa deputetët e opozitës. /Telegrafi/