Dy anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan u vranë dhe dy të tjerë u plagosën kur automjeti i tyre u godit nga një bombë në jug të Afganistanit – ka njoftuar ushtria amerikane përmes një deklarate të shtunën.
Qari Yusouf Ahmadi, një zëdhënës i talebanëve, menjëherë mori përgjegjësinë për sulmin në provincën jugore të Kandahar, transmeton Telegrafi.
Në përputhje me politikën e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-ve, emrat e anëtarëve të shërbimit të vrarë në veprim do të mbahen të papublikuar deri në 24 orë, pasi të jetë përfunduar njoftimi për të afërmit.
Siç raporton Daily Mail, një zyrtar afgan ka thënë që sulmi kishte ndodhur në rrethin Dand të provincës Kandahar. Zyrtari nuk ishte i autorizuar të fliste me media dhe kërkoi anonimitet.
Talebanët tani kontrollojnë ose mbajnë rreth gjysmën e Afganistanit, pas gati dy dekadave të përfshirjes ushtarake amerikane në vend.
Militantët vazhdojnë të organizojnë sulme pothuajse ditore në shënjestër të forcave afgane dhe amerikane, edhe pse ata zhvillojnë bisedime paqeje me SHBA-të.
Midis 12,000 dhe 13,000 trupa amerikane janë duke shërbyer aktualisht në Afganistan, si pjesë e një misioni të NATO-s të udhëhequr nga SHBA për të trainuar, ndihmuar dhe këshilluar forcat afgane.
Ka pasur më shumë se 2,400 vdekje totale të anëtarëve të shërbimit amerikan që nga fillimi i luftës më të gjatë të Amerikës në vitin 2001. Viti i kaluar ishte viti më vdekjeprurës në pesë vjet për SHBA-në në Afganistan, me 23 anëtarë të shërbimit të vrarë gjatë operacioneve në vend në vitin 2019.
Në fund të dhjetorit, talebanët morën përgjegjësi për vdekjen e Michael J. Goble që vdiq si pasojë e plagëve të marra gjatë operacioneve luftarake.
Viktimat e raportuara më të fundit vijnë kur SHBA kanë rifilluar bisedimet e paqes me talebanët.
Trump ka sinjalizuar publikisht se ai dëshiron të tërheqë disa mijëra trupa nga vendi. Por mbi 3000 trupa amerikane u vendosën kohët e fundit në Lindjen e Mesme pasi tensionet rriten në rajon pas vrasjes së gjeneralit iranian Soleimani nga SHBA-të. /Telegrafi/