Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se janë duke vazhduar punimet për ndërtimin e rrugës “A”.
Sipas Ramës, ndërtimi i kësaj rruge do të zgjidh problemin me ujëra të zeza në lagjen “Kalabria”, transmeton Telegrafi.
“Po vazhdojnë punimet për realizimin e projektit madhor, ndërtimin e rrugës “A”, i cili zgjidh problemin me ujëra të zeza në lagjen “Kalabria” dhe komunikacion. Punët të cilat mund të kryhen në këtë kohë po vazhdojnë të kryhen me intensitetin e duhur”, thotë Rama.
Tutje, sipër fotografive të publikuara nga ndërtimi, Rama shkruan “Drejt transformimit të Prishtinës”.
Ndryshe, Rama këtyre ditëve ka marrë vendim për shkarkim nga detyra drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliu, si dhe nënkryetares Donjeta Sahatçiu.
Krahas këtyre zhvillimeve, të enjten në Kuvendin Komunal të Prishtinës do të mbahet seancë e jashtëzakonshme, e cila është thirrur nga PDK dhe LVV, lidhur me çështjen e anulimit të pronave në Badoc./Telegrafi/