Ka vazhduar protesta e kandidatëve që nuk u pranuan në punë në minierën e Trepçës në Mitrovicë. Arsim Musa nga Këshilli organizativ i kësaj proteste ka thënë se tek organet kompetente i kanë dërguar dëshmitë lidhur me parregullsitë në këtë konkurs.
Arsim Musa nga Këshilli protestues ka thënë se i kanë dërguar dëshmitë tek organet kompetente lidhur me parregullsitë në konkurs.
“Ne kemi dorëzuar dëshmi dhe fakte te Krimet Ekonomike. Ata nga e enjtja kanë filluar t’i marrin në pyetje disa persona se si kanë arritur me aq poena të dalin të parët në listë. Shpresojmë se kjo punë do të sqarohet shumë shpejt, por ne do të vazhdojmë me protesta deri në realizim të kërkesave tona”, deklaroi për RTV Dukagjinin Arsim Musa.
Të vendosur për të protestuar deri në plotësimin e kërkesave të tyre janë shprehur edhe protestues të tjerë.
“Do të vazhdojmë me protesta deri në fund. Janë bërë padrejtësi të madha. Kjo botë nuk shkon kështu. Qysh kur u shpall ky konkurs ka qenë i montuar”, deklaroi Hakif Beqiri, përcjell Telegrafi.
Madje disa nga ta me ngulm po kërkojnë shkarkimin e drejtorit të bordit.
“Deri të bjerë Bordi do të vazhdojmë me protesta. Baba më ka punuar si inxhinierë 30 vite këtu. Këtu janë punësuar shumë persona me të njohshëm. Deri të bie Bordi këtu jemi, Më mirë drejtori të shkojë në shtëpi”, deklaroi Sadri Hamiti.
Musa ka bërë të ditur se në ditët në vijim pritet të ketë edhe një takim me kryeministrin, Albin Kurtin, për t’i dorëzuar siç tha ai dëshmitë që posedon për parregullsitë./RTV Dukagjini/Telegrafi/