Në Francë, vazhdojnë protestat në të gjithë vendin kundër rritjes së çmimeve të karburanteve, ndërsa policia ka ndërhyrë me gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj “jelekëve të verdhë” që kanë mbërritur në bulevardin e famshëm Champs-Elysees të Parisit dhe të cilët kanë nisur ngjarjet e dhunshme.
Protestuesit të cilët që prej dy javëve janë organizuar nën emërtimin e “Jelekëve të Verdhë” kundër taksës shtesë të qeverisë për karburantet, ditën e sotme po zhvillojnë protesta në shumë qytete të Francës, kryesisht në kryeqytetin Paris.
Protestuesit që në orët e para të mëngjesit janë mbledhur në bulevardin Champs-Elysees të Parisit ku dhe ishin marrë masat e sigurisë. Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj protestuesve të cilët nuk i ka lejuar të hyjnë në bulevard.
Ndërsa, protestuesit i janë kundërpërgjigjur policisë me gurë dhe shishe si dhe u kanë vendosur zjarrin disa vendeve. Mes policisë dhe protestuesve ka patur tensione edhe në sheshin Charles de Gaulle pranë bulevardit Champs-Elysees.
Kryeministri francez, Edouard Philippe, në një deklaratë ka njoftuar se në protestën e zhvilluar në Paris kanë marrë pjesë rreth 5.500 protestues dhe se policia po përballet me dhunë.
Duke theksuar se dënon ngjarjet e dhunshme në protesta, ai ka njoftuar se po ndjek nga afër zhvillimet.
Sipas lajmeve në shtypin francez në protestat e zhvilluara në Paris bëhet e ditur se janë arrestuar 115 persona, si dhe janë plagosur 20 persona nga të cilët 6 prej tyre policë.
Që prej disa kohësh ndaj presidentit francez, Emmanuel Macron, janë bërë kritika se që kur ka marrë detyrën e deri tani ai me reformat që ka ndërmarrë ka bërë edhe më të pasur të pasurit dhe se ka vështirësuar jetën e njerëzve me të ardhura të mesme dhe të ulëta.
Sipas një anketimi të bërë në Francë rreth 84 për qind e francezëve mbështesin “Jelekët e Verdhë” dhe gjithashtu theksohet se shumica e protestuesve vijnë nga grupi me të ardhura të mesme.
Në Francë, çmimet e naftës janë rritur me më shumë se 20 për qind në vitin e fundit. /Telegrafi/