Site icon Telegrafi

Vazhdojnë protestat kundër qeverisë në Rumani

Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protestën e mbrëmshme në kryeqytetin Bukuresht në Rumani, kundër qeverisë dhe në mbështetje të autoriteteve në luftën kundër korrupsionit në këtë vend.

Mbrëmë demonstruesit janë tubuar në Sheshin e Fitores, afër ndërtesave qeveritare, duke i valëvitur flamujt rumunë dhe amerikanë.

Ata kanë brohoritur “ne dëshirojmë drejtësi, e jo korrupsion”.

Mediat lokale kanë vlerësuar se në protestë kanë marrë pjesë 10 mijë vetë.

Ata, po ashtu, kanë shprehur mbështetje për Drejtoratin kombëtar anti-korrupsion, i cili ishte kritikuar nga Gjykata Supreme, pasi kishte filluar hetime ndaj Ministrisë së Drejtësisë.

Prej fundit të muajit janar të këtij viti, në Rumani janë mbajtur rregullisht protesta kundër korrupsionit, raporton Rel.

Protesta më masive ishte ajo e së shtunës, në të cilën u vlerësua se kanë marrë pjesë 330 mijë njerëz në gjithë Rumaninë.

Kjo ishte protesta më masive në këtë vend prej vitit 1989, kur u përmbys diktatori komunist, Nicolae Ceausecu.

Exit mobile version