Telegrafi

Vazhdojnë problemet me borën në aeroportet evropiane

Qindra pasagjerë, të cilët ende nuk e dinë nëse do të jenë në shtëpi për festat, kaluan natën në tenda dhe stola në aeroportin më të madh të Europës, “Heathrow” të Londrës.

Më shumë se 1 000 fluturime u anuluan për në aeroportet gjermanë të Frankfurtit, Mynihut dhe Berlinit. Në Francë, aeroporti Charles des Gaulles i Parisit punon me tre prej katër pistave të tij. Shumë linja të distancës së shkurtët kanë operuar, por ato për destinacione të largëta mbeten kryesisht në tokë.

Në aeroportin e dytë të kryeqytetit, edhe pse të dyja pistat ishin funksionale, vonesa mesatare e fluturimeve ishte prej tre orësh. Linjat ajrore në Francë dhe Gjermani po inkurajojnë pasagjerët e tyre që të përdorin për momentin trenat.

Situata kaotike në “Heathrow”, por edhe aeroportet e tjera europiane, ka krijuar probleme dhe çrregullime anembanë botës. Pasagjerë presin në kontinentet e tjerë, prej më shumë se tre ditësh, për të marrë aprovimin për fluturimin e tyre drejt destinacioneve europiane.

Të shtunën, në vetëm një orë, në Londër ranë tetë centimetra dëborë, duke e bërë të kotë pastrimin e pistave. Në këtë situatë, British Airways është duke humbur 75 milion euro në ditë, ndërsa numri i konsumatorëve në dyqanet britanike është 25 % më i ulët se sa mesatarja e kësaj periudhe të vitit. /Telegrafi/