Telegrafi

Vazhdojnë problemet me Galaxy Note 7

 

Një aeroplan i linjës Southwest Airlines në Amerikë është zbrazur nga pasagjerët për shkak të një Galaxy Note 7 që ka filluar të marrë tym.

Të gjithë pasagjerët së bashku me ekipin e aeroplanit kanë lëshuar aeroplanin dhe nuk janë raportuar lëndime, bën të ditur The Verge.

Më shqetësues është fakti që telefoni në fjalë ka qenë një zëvendësim i Galaxy Note 7, i cilësuar si i sigurtë nga Samsung. The Verge ka komunikuar me pronarin e telefonit, Brian Green i cili ka konfirmuar se e ka marrë telefonin e ri në shitoret e AT&T më 21 shtator.

Një fotografi e kutisë së pajisjes ka të shtypur një simbol në formën e katrorit të zi që reprezenton zëvendësimin e pajisjes, si pjesë e planit të Samsung për parandalimin e incidenteve me bateritë që kanë pasur problem si pasojë e gabimeve në prodhim.

Green ka deklaruar se e ka fikur telefonin gjatë arritjes në aeroplan pas këshillimit të ekipit të aeroplanit dhe më pas e ka futur në xhep. Në të njejtën kohë, telefoni ka filluar të lëshojë tym.

Ai poashtu ka shtuar se telefoni kishte kapacitet të baterisë në 80 për qind kur ka ndodhur incidenti dhe që prej marrjes së pajisjes zëvendësuese ai e ka rimbushur atë vetëm më mbushës pa kabllo.