Partitë politike edhe gjatë ditës së djeshme vazhduan takimet e tyre me qytetarët. Telegrafi Maqedoni ju sjell të përmbledhura aktivitetet e partive më të mëdha, gjatë ditës së djeshme në kuadër të fushatës zgjedhore.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ishte në mesin e banorëve të Mateçit dhe Likovës ku kanë prezentuar kandidatin e tyre, Erkan Arifi i cili para banorëve tha ”për të gjithë qytetarët e komunës së Likovës ka përgatitur platformë shumë të shkurt, me qëllim që të jet sa më e qartë dhe koncize, në të cilën janë të përfshira, projektet kapitale të realizuara deri më tani nga BDI dhe të gjitha projektet prioritare dhe më të rëndësishme për banorët.”
Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) ka mbajtur takime me kryetarët dhe aktivistët e shtabeve e komunave: Tetovë, Tearcë, Zhelinë, Bervenicë dhe Bogovinë. ”U bisedua ecuria e aktiviteteve partiake si dhe u morrën udhëzimet për aktivitetet e mëtutjeshme!” thonë nga PDSH-ja.
Aleanca për Shqiptarët ka realizuar takime të ndara me banorë nëpër disa komuna në Maqedoni. Ziadin Sela si kandidat për Strugën ka realizuar takime me banorë të fshatrave të Strugës.
Lëvizja Besa gjithashtu ka organizuar takime me qytetarë të komunave të ndryshme të Maqedonisë. Kanë premtuar ”jetë të re nëpër Komuna”.
Koalicioni ”Aleanca për shqiptarët” i përbërë nga RDK dhe Uniteti mbrëmë ka prezentuar kandidatin Shpat Iseini në Çajle të Gostivarit.
LSDM-ja ka qenë në Tetovë ku ka premtuar ajër të pastër, ujë për pije për të gjithë dhe jetë më të mirë për gjithë qytetarët e Maqedonisë.
OBRM-PDUKM-ja ka qenë në venbanimin Kisella Voda në Shkup ku lideri i kësaj partie Nikolla Gruevski ka premtuar erë të re të qeverisjes së komunave për Maqedoni më të mirë. /Telegrafi/