Site icon Telegrafi

Vazhdojnë polemikat mes liderëve kroat e serb: Plenkoviq thotë se Vuçiq vonoi sanksionet kundër Rusisë shkaku i naftës

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, deklaroi në Pragë se e gjithë BE-ja dhe jo vetëm Kroacia, ka miratuar një paketë sanksionesh kundër Rusisë gjersa Serbia nuk ka dëshmuar në asnjë mënyrë se është e rrezikuar nga energjia pasi që importi i naftës ruse po shpëton atë.

“Së dyti, ky vendim nuk është shtyrë, por hyn në fuqi për të gjithë në muajin dhjetor. Vuçiq nuk ka luftuar për shtyrjen e vendimit. Do të hyjë në fuqi me kohë”, ka thënë ai.

I pari i qeverisë kroate shtoi se Serbia mund të importojë cilindo naftë, përveç asaj ruse, raporton nova.

“Nëse Serbia mund të marrë ndonjë naftë, por ajo nuk është ruse, atëherë cili është problemi? Nuk ka problem. Janaf është këtu, Krk është këtu, Kroacia është këtu”, ka shtuar ai.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve serbë, ai tha se ato janë “teza qesharake, fyese, të pasakta dhe të vrazhda”.

“Është e qartë se Serbia e kupton mesazhin – nëse dëshironi të anëtarësoni në BE, ajo nënkupton se ka disa parime dhe disa pako sanksionesh”, tha Plenkoviq. /Telegrafi/

 

Exit mobile version