Në Kuvendin e Kosovës po debatohet lidhur me kompensimin e orëve të mësimore të humbura gjatë grevës tri javësh të SBASHK-ut.
Pavarësisht një vendimi që mori ministri Shyqyri Bytyqi në fillim të këtij muaji, që këto orë të kompensohen, SBASHK-u doli kundër këtij vendimi.
Madje së fundmi SBASHK paralajmëroi sërish grevë në rast se vazhdohet me presionin për kompensimin e këtyre orëve.
E keqkuptimet për kompensimin apo jo të këtyre orëve po vazhdojnë. Madje disa nga shkollat kanë filluar kompensimin e orëve të humbura e disa të tjera janë kundër.
Shkolla fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë ka lajmëruar të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle se orët e humbura do të kompensohen me datë 30 mars, 6,13,20 dhe 27 prill 2019 si dhe gjatë pushimit pranverorë, shkruan Telegrafi.
“Lajmërohet të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e SHFMU “Ismail Qemali” në Prishtinë se procesi edukativo-arsimor do të mbahet të shtunën më datë 30 mars 2019, më 6 prill 2019, 13 prill 2019, 20 prill 2019 dhe më 27 prill 2019, gjithashtu edhe gjatë pushimit pranveror do të ketë mësim, në mënyrë që të kompensohen ditët e humbura të mësimit gjatë muajit janar 2019 që do të thotë fillimin e gjysëmvjetorit të dytë që u mbajtën grevat e mësimdhënësve të organizuar nga Sindikata e Pavarur e Arsimit në nivel vendi”, thuhet në lajmërimin e kësaj shkolle.
E qëndrim tjetër rreth kompensimit të orëve kanë Këshilli i Prindërve të Fushë Kosovës.
Në mbledhjen e mbajtur dy ditë më parë ky këshill ka marrë vendim që të mos kompensohen orët e humbura.
“Sot me 26.03.2019 u mbajt mbledhja e këshillit të prindërve të komunës së Fushë Kosovës. Prezent ishin shumica e kryetarëve të këshillit të prindërve të shkollave të komunës së Fushë Kosovës dhe pas shumë diskutimeve dolëm me përfundimin që të mos kompensohen orët e humbura gjatë grevës së organizuar nga SBASHK-u deri në dhënien e vendimit përfundimtarë nga gjykata sepse kjo paraqet një padrejtësi ndaj nxënësve,pasi qe atyre po ju mohohet e drejta për pushim pranverorë. Prindërit morën vendim që as ditëve të shtuna mos të bëhet kompensimi i orëve”, thuhet në një njoftim të tyre. /Telegrafi/