“Nga SPB-Shkup konfirmuan se gjatë përballjes në basketboll mes Rabotniçkit dhe Kumanovës në sallën e sportit ‘Parku i Qytetit’ në Shkup janë lëshuar brohoritje që fyenin shqiptarët dhe janë hedhur në parket gjësende plastike, kurse pak minuta pas përfundimit të ndeshjes janë lëshuar edhe mjete piroteknike. Me këtë rast është ngritur padi penale kundër personit me iniciale K.S., 32 vjeçar, për shkelje të nenit 3 paragrafi 1 i ligjit për parandalim të dhunës dhe sjelljes jokorrekte gjatë ndeshjeve sportive. Padi penale mori edhe organizatori i këtij evenimenti”, thuhet në një njoftim, ndërsa transmeton Alsat-M.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Shkup gjithashtu informojnë se po hetojnë rastin dhe po punojnë në gjetjen edhe të pjesëmarrësve tjerë, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit.
Ndërkohë nga MPB-ja njoftojnë se ndeshja e mbrëmshme (e diel) mes MZT-së dhe Lirisë në Aerodrom të Shkupit, ndeshje kjo e vlerësuar si e rrezikut të lartë, kaloi pa ndonjë incident dhe pa brohoritje ofenduese. /Telegrafi/