Telegrafi

Vazhdojnë negociatat mes MASH-it dhe SASHK-ut për pagat e mësimdhënësve

Ministri i Arsimit dhe Shkencës (MASH) Arbër Ademi, sot deklaroi se do t’i vazhdojnë negociatat me Sindikatën e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SASHK), ku do të diskutohet për kërkesën e këtyre të fundit, për rritjen e pagave për punonjësit në arsim.

Ministri Ademi tha se është i kënaqur me bashkëpunimin e deritanishëm me SASHK-un, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Me SASHK-un sot do të kemi takim të përbashkët, negociatat do të vazhdojnë në mënyrën më të mirë, më konstruktive, jam i kënaqur prej bashkëpunimit të deritanishëm. Rritje të dukshme të pagave kemi thënë se do të ketë, por prej kur dhe sa do të jetë përqindja kjo varet prej mundësive dhe prej shqyrtimit të të gjitha të dhënave dhe parametrave që i kemi”, tha Ademi në vizitën e sotme të Qendrës për vlerësim funksional dhe mbështetjen e fëmijëve dhe të rinjve.

Ai theksoi se janë në anën e njëjtë me SASHK-un me qëllim që të përmirësohet statusi shoqëror dhe material i të gjithë të punësuarve në arsim./Telegrafi/