Telegrafi

Vazhdojnë kontrollet e Drejtorisë së të Ardhurave Publike mbi financat e OJQ-ve

Inspektorët e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) dhe të policisë financiare edhe të enjten kanë vazhduar kontrollet në zyrat e disa organizatave joqeveritare lidhur me burimin e financimit e tyre dhe të aktiviteteve tjera në Maqedoni.

Nga këto institucione nuk kanë dhënë detaje mbi këtë aksion, duke theksuar se bëhet fjalë për kontrolle të rregullta, por drejtuesit e organizatave joqeveritare këtë e cilësojnë si formë të presionit për shkak të qëndrimit të tyre kritik ndaj pushtetit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ato thonë se këtë qëndrim të tyre e forcon edhe më shumë fakti, se aksioni ndodh disa ditë pas protestës së VMRO DPMNE-së, para Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, ku u paralajmërua “lufta për desorosoizimin e organizatave joqeveritare”. Në fakt, organizatat joqeveritare në të shumtën e rasteve financohen nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, pas të cilit thuhet se qëndron filantropisti miliarder, George Soros, njofton Radio Evropa e Lirë.

“Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, shumë qartë e kishte bërë me dije se cilat janë planet e tij me sektorin civil, dhe nuk është hera e parë që dëgjojmë diçka të tillë. Prandaj, nuk vlerësoj se kontrolli i institucioneve financiare është i rregullt, por përkundrazi bëhet fjalë për presion ndaj organizatave joqeveritare që kanë qëndrim kritik ndaj pushtetit. Ish kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së po shkon në drejtim të politikave autoritare të disa shteteve tjera”, thotë Uranija Pirovska, kryetare e Komitetit të Helsinkit në Maqedoni, organizatë kjo e cila ishte e para në shënjestër të inspektorëve tatimor.

Ajo thotë se është e njohur se sektori civil në Maqedoni financohet në bazë të projekteve dhe donacioneve që merr nga jashtë, por e gjithë kjo bëhet në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

Drejtuesja e Fondacionit për Shoqëri të Hapur në Maqedoni, Fani Karanfilova-Panovska, thotë se kontrolle janë paralajmëruar në zyrat e më shumë se njëzet organizatave joqeveritare. Ajo thotë se nuk është kundër kontrolleve, por forma se si këto bëhen lënë dyshime për qëllimin e tyre.

Edhe Xhelal Neziri, drejtues i Qendrës për gazetari Hulumtuese SCOOP, thotë se bëhet fjalë për presion dhe asgjë më shumë. Ai vlerëson se OJQ-të kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në demokratizimin e shtetit, në kohën kur të gjitha institucionet e tij janë vënë në funksion të partisë në pushtet.

Organizatat joqeveritare ishin edhe pjesë e asaj që njihet “revolucioni shumëngjyrësh”, i cili gjatë gjithë këtij viti ka organizuara protestave të shumta rrugëve të kryeqendrës së Maqedonisë në mbrojtje të Prokurorisë Speciale, e cila ka nisur hetime të shumta kundër zyrtarëve të lartë shtetëror, të dyshuar për vepra të ndryshme penale./Telegrafi/