Telegrafi

Vazhdojnë dyshimet për cilësinë e ujit në qytetin e Tetovës (Video)

Tash e disa javë, qytetarët e Tetovës kanë shfaqur shqetësimet e tyre për cilësinë e ujit që e pijnë. Në disa raste është alarmuar se uji është i ndotur, diçka që është dëshmuar edhe me video të bëra nga vetë qytetarët që i janë dërguar Telegrafit Maqedoni. Këtyre shqetësimeve u janë përgjigjur organet kompetente të cilat kanë thënë se uji në Tetovë është i pastër për pije. Këto deklarata i kanë bazuar në testimet e bëra nga ndërmarrja publike ”Tetova”.

Megjithatë, shqetësimet për cilësinë e ujit nuk kanë përfunduar me kaq, pasi që u kuptua se një nga tubat kryesorë të furnizimit të qytetit me ujë, që gjendet në Kodrën e Diellit, ishte thyer nga punimet e kompanisë ELEM për vendosjen e shtyllave të teleferikut të ri. Mirëpo, as kompania ELEM dhe as Ndërmarrja publike komunale e Tetovës, nuk kishin ndërmarrë masa për të rregulluar këtë çështje, për më tepër, njëra kompani akuzoi tjetrën për pakujdesi.

Hysamedin Abedini, kryeshef i sektorit të Ujësjellësit kishte deklaruar se “ekipi inspektues i Ministrisë së Ekologjisë që është obligues, ka dalë dhe iu ka dhënë urdhër ndërmarrjeve dhe ELEM-it që ajo zonë të rrethohet dhe të bllokohet, në mënyrë që të mos i afrohet as faktori njeri dhe as kafshët.”

Edhepse Ndërmarrja publike komunale ”Tetova” informoi qytetarët se uji është i pijshëm, bazuar në analizat paraprake, një njoftim i këtillë u përgënjeshtrua nga vet shefi i Ujësjellësit në Tetovë, Hysamedin Abedini, i cili për Alsat-M kishte deklaruar se “Informatat që na kanë dhënë nga Instituti i cili merret me kontrollin e ujit të pijshëm, normal ndotjet kanë rezultuar se e kanë tejkaluar normën e asaj që quhet ujë i pijshëm.”

Lexo po ashtu Gënjehen qytetarët e Tetovës lidhur me ujin (Video)

Pa marrë parasysh zhvillimeve të mëtutjeshme, qytetarët e Tetovës vazhdojnë të kenë dyshime në cilësinë e ujit. Kështu, një banorë i Tetovës ka kryer një testim të ujit në shtëpinë e tij. Ai ka testuar një gotë me ujë të filtruar, ku rezultati në aparaturë tregon shifrën 0.2, si edhe një gotë me ujë të pafiltruar, ku rezultati në aparaturë tregon shifrën 0.87. Gjithashtu, gjatë testimit të ujrave, dallohet shfaqja e ngjyrës në ujin e pafiltruar, që sipas të gjitha gjasave vjen nga prania e mineraleve.

Gjatë testimit, banori ka përdorur edhe një elektrodë testuese. Në filtrin e ujit vërehet llumi që mblidhet gjatë filtrimit. Për më tepër, shihni videot më poshtë./Telegrafi/