Telegrafi

Vazhdojnë aktivitetet në luftën kundër kancerit

Pas “Ecjes Vjetore” të Kosovës për vetëdijesimin ndaj Kancerit të Gjirit (IBKGJ), që u organizuar të shtunën në Mitrovicë nga Iniciativa Ballkanike për luftimin e Kancerit te Gjirit (Balkans Breast Cancer Initiative- BBCI), që është iniciuar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ka gjetur përkrahjen e USAID-it, dhe në bashkëpunim me Community Building Mitrovica (CBM), dhe në të cilin përveç Ministrit të Shëndetësisë, morën pjesë edhe përfaqësues të Ambasadës Amerikane, mjekë të njohur kosovarë, aktivistë të shoqatave të ndryshme dhe qytetarë, të mërkurën në Dardanë, do të organizohet një tryezë tjetër, ku tema kryesore do të jetë lufta kundër kancerit të gjirit.

Këtë tryezë –debat e organizon Divizioni për Shëndetësi i Kampit Ushtarak Amerikan Bondstill, ndërsa pjesëmarrës do të jenë profesionistë shëndetësor, por edhe aktivistë të luftës kundër kancerit nga Gjilani, Ferizaj, Vitia e Dardana.

Në këtë aktivitet, rëndësi do t’i jepet zhvillimit të metodave të detektimit të hershëm të kancerit të gjirit dhe sensibilizimit të popullatës, sidomos gjinisë femërore që t’i qasen pa frikë dhe pa turp kontrollit të hershëm si metodë për diagnostikimin e kancerit të gjirit në stadet e para të tij.

Moto e përbashkët e këtyre aktiviteteve është “Zbulimi i hershëm -Mbijetesë”
Ndërkohë që “Ecja…” dhe aktivitetet sensibilizuese do të vazhdojnë edhe viteve të tjera.

Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të angazhimeve të saj për tretman së më korrekt të prekurve nga kanceri, ka rritur sivjet buxhetin për citostatikë, nga 300.000 euro sa kishte më 2008 në dispozicion, në 4 milionë euro për këtë vit.

Gjithashtu, kjo ministri i ka kushtuar kujdes të veçantë edhe pajisjeve të spitaleve rajonale me aparaturë për diagnostike, duke bërë me CT moderne Spitalin Rajonal të Gjilanit, atë të Pejës, të Gjakovës, ndërkohë që gjatë kësaj jave, pritet që CT-ja të futet në funksion edhe në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Ndërsa, pritet që pas një kohe të shkurtër, për herë të parë në Kosovë, të nis edhe aplikimi i radioterapisë, që do të lehtësojë shumë trajtimin e të prekurve nga kanceri. /Telegrafi/