Boban Iliçit, të akuzuarit për vrasjen e Almirit Aliut, i është zgjatur paraburgimi për edhe 30 ditë plotësuese. Pas përfundimit të paraburgimit fillestar Prokuroria ka vlerësuar se të akuzuarit duhet ti zgjatet paraburgimi sepse ende ka nevojë për hulumtime dhe analiza, ndërkohë që rreziku nga ikja e tij është i pranishëm, transmeton Telegrafi Maqedoni.
Këtë e ka bërë të ditur avokati mbrojtës i familjes Aliu. Avokati Asmir Alispahiç për televizionin Shenja ka thënë se kjo vepër është shumë e rëndë prandaj Iliç nuk kishte si ti ik paraburgimit.
Kohë më parë nga Prokuroria Themelore thanë se zgjatja e paraburgimit bëhet për shkak se ekspertizat e nevojshme për zbardhjen e këtij rasti ende nuk janë tërësisht të gatshme. Nuk janë të gatshme as analizat e obduksionit të të ndjerit.
Përndryshe Neni 123 i Kodit Penal parashikon dënim minimal prej 10 vjetësh për vrasje me paramendim, sidomos nëse personi i akuzuar ka vënë në rrezik edhe jetën e personave të tjerë.
Dënimi maksimal për këtë vepër është burg i përjetshëm. Por ekziston mundësia e zbutjes së dënimit nëse dëshmohet se Boban Iliçi nuk ka qenë në gjendje të kthjellët mendore gjatë kryerjes së aktit./Telegrafi.