Telegrafi

Vavalis: E merituam fitoren, kemi mundur të shënojmë më shumë gola

Trajneri i Dritës, Akis Vavalis, u shpreh i lumtur pas ndeshjes për fitoren ndaj Malishevës duke thënë se ekipi i tij i meritoi tri pikët.

Drita fitoi me rezultat 3-1 ndaj Malishevës në udhëtim në kuadër të javës së nëntë.

“Jam i lumtur me tri pikët. E kemi ditur se skuadra e Malishevës është shumë ofensive dhe shënon shumë gola. Kemi pasur pjesë të parë shumë, shumë të mirë. Por në 20-25 minutat e pjesës së dytë kemi pasur shumë probleme. Humbëm përqendrimin dhe është pjesë për të cilën duhet analizë”, ka thënë fillimisht Vavalis.

Tutje, ai tha se ekipi i tij ka luajtur mirë dhe se kanë mundur të shënojnë më shumë gola.

“Në 15-20 minutat e fundit ne luajtëm mirë, kemi mundur të shënonim edhe më shumë gola. Në përgjithësi, jam i lumtur me tri pikë dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu”, përfundoi tekniku grek.

Kjo ishte fitorja e katërt radhazi për Dritën në elitën e futbollit kosovar, teksa pas xhiros së nëntë ata pozicionohen në vendin e dytë në tabelë me 18 pikë./Telegrafi/