Mijëra banorë gjenden nëpër rrugët vdekjeprurëse të Australisë, për shkak të zjarrit të madh që ka shpërthyer kryesisht nëpër zonat malore duke shkaktuar re tymi, që mund të vërehen madje nga Zelanda e Re.
Në New South Wales është shpallur gjendje e jashtëzakonshme, kurse erërat e forta dhe temperaturat e larta kanë detyruar ekipet e zjarrfikësve të paralajmërojnë banorët e zonës së Sydney, transmeton Telegrafi.
Bëhet fjalë për nivelin më të lartë të kërcënimit në Sydney. Në këtë qytet jetojnë afro 4.6 milionë banorë, kurse rreziku më i madh po kërcënon zonat rurale në periferi të qytetit.
“Shtëpitë e projektuara për t’i bërë ballë zjarreve të vogla nuk figurojnë në listën e objekteve të rrezikuara. Ato që po kërcënohen janë shtëpitë e ndërtuara në zonat malore, ku mund të humbin jetën edhe qytetarët”, ka deklaruar Shane Ficsimons.
Nga e premtja e kaluar në tërë New South Wales, kanë shpërthyer 70 vatra zjarresh. Në anën tjetër Australia raportohet se është duke përjetuar një prej viteve më të thata në dhjetë vitet e fundit, kurse temperaturat e larta vetëm sa po e vështirësojnë situatën. /Telegrafi/