Telegrafi

Vatikani mendon zgjedhje të parakohshme për Papën

Zëdhënësi i Vatikanit, Federico Lombardi deklaroi se autoritetet po ekzaminojnë nëse rregullat mund të ndryshohen.

Benedikti XVI, 85 vjeç, njoftoi dorëheqjen e tij të hënën e kaluar, duke e argumentuar me moshën tepër të thyer vendimin e tij.

Pasuesi i tij do të zgjidhet mes 117 kardinalëve, të cilët do të votojnë në një proces sekret që do të mbahet në dhomën e njohur si Kapela Sistina, në Selinë e Shenjtë, transmeton TCH.

Votimi duhet të mbahet përpara ditës së Pashkës, që është më 31 mars dhe është një nga ditët më të shenjta në kalendarin e kishës.

Sipas kushtetutës së Selisë së Shenjtë, konklava duhet të mblidhet 15 deri në 20 ditë nga dita kur posti i Papës mbetet vakant. “Rregulli në fjalë u jep të gjithë kardinalëve që mungojnë kohën e duhur për të udhëtuar drejt Romës”, ka thënë Lombardi.

Por, sipas tij, perspektiva për të afruar datën e zgjedhjeve është propozuar nga një numër i caktuar i vetë kardinalëve. Dhe, duke qenë se tashmë dihet se kur Papa do të tërhiqet, ata kanë kohë të mjaftueshme për të organizuar udhëtimin.

“Është e mundur që autoritetet e kishës të përgatisin një propozim që të miratohet nga kardinalët në ditën e parë të tërheqjes së Papa Ratzinger”, ka shtuar Lombardi. /Telegrafi/