Hapja e kufijve për refugjatët që një veprim që Angela Merkel e ndërmori e vetme: nuk pati ndonjë vendim të BE, Bundestagun nuk e pyeti njeri, aq më pak u bë kjo me popullin gjerman. Si kancelare ajo thjesht u turr përpara – dhe fillimisht mori shumë duartrokitje nga Gjermania dhe nga e gjithë bota. Por efekti i vorbullës tërheqëse që shkaktoi hapi i Merkelit e kaloi aftësinë përfytyruese të shumë vetëve.
Që tani në radhët e CDU-së ka deputetë që thonë se pas zgjedhjeve të ardhshme duhet të ngrihet një komision hetimor parlamentar për ngjarjet e verës 2015.Që mënyra si veproi Merkeli mund të diskutohet juridikisht, këtë e dinë shumë vetë. CSU madje kërcënon me padi për mosrespektim të kushtetutës.
70 për qind e gjermanëve janë ndërkohë të shqetësuar për shkak të valës së pafrenuar të refugjatëve. Dhe meqenëse shumë vetë mendojnë se "kriza e refugjatëve është e barabartë me Merkelin dhe Merkeli është e barabartë me krizën e refugjatëve", popullariteti i Merkelit aktualisht ka rënë kaq shumë, sa shumica janë të pakënaqur me punën e saj si kryetare e qeverisë.
Edhe një komponent psikologjik luan një rol në këtë klimë: Merkeli e drejton Gjermaninë tashmë që prej dhjetë vjetësh. Për Gjermaninë këto kanë qenë vite të mira. Sociologët flisnin deri pak kohësh me lëvdata për një "brez Merkel". Kështu që vlerat në sondazhe vitet e kaluara për Merkelin kanë qenë gjithmonë të shkëlqyera.
Të gjitha ishin në rrugë më të mbarë, thonë disa duke tundur kokën me mosbesim. Pa borxhe të reja, me të ardhura rekord nga taksat dhe papunësi të ulët – pse prishet tani e gjitha?
Kundërshtimet për modelin evropian të zgjidhjes së problemit të refugjatëve, të mbrojtur nga Merkeli janë shtuar. Shumë e kanë humbur prej kohësh besimin në planin e Merkelit. Disa e bëjnë këtë me një zemërim të heshtur, që pasqyrohet në sondazhe. Të tjerë e shprehin këtë zemërim me zë të lartë dhe ndihen të mbrojtur mirë nga populistët dhe nga Pegida.Dhe të tjerë i mundon shqetësimi, që tani janë forcat ekstreme në Evropë, të cilat po e ngrenë zërin.
Si do të ecet më tej? A do ta vazhdojë Merkeli punën, do të japë dorëheqjen, apo do ta rrëzojnë me puç? Një përgjigje për këtë aktualisht nuk ka. Megjithatë: Merkeli i ka mbijetuar politikisht disa rënie në mbështetjeje në sondazhe, për shembull pas krizës financiare në Evropë dhe pas krizës së Greqisë. Veç kësaj, masat që janë marrë tani në kuadër të paketës II të azilit, shumica në popull i vlerëson pozitivisht.
Pra, e gjitha mund të kthehet sërish ndryshe, pra të bëhet më mirë për Merkelin. Vendimtare do të jetë: kur do të ulet numri i refugjatëve, të cilët vazhdojnë të vijnë me mijëra në ditë në Gjermani?
Më mirë të mos e përfytyrojmë se çfarë do të ndodhte sikur tani të ndodhte ndonjë atentat i madh terrorist në Gjermani. Edhe për atë, me garanci, shumë do të akuzonin Angela Merkelin, se e mban përgjegjësinë.