Njohësi i Integrimeve Evropiane, Besnik Vasolli tha se zyrtarisht opsioni i vetëm i dialogut Kosovë-Serbi është Asociacioni i komunave, i cili sipas tij tani nuk po i konvenon asnjërës palë.
“Sfida më e madhe është që nuk kemi dialog, edhe kjo nuk i konvenon asnjërës palë, e as shteteve mike, të cilat tentojnë ta ndihmojnë këtë dialog… Kështu që BE-ja pret që ne të vazhdojmë me dialog, po edhe me implementim të atyre marrëveshjeve që janë bërë. Tani, në tryezë zyrtarisht opsioni i vetëm është Asociacioni i komunave, edhe më duket që kjo tani nuk po i konvenon asnjërës palë.”, tha Vasolli, në “Click” të RTV 21, ku u diskutua vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas Vasollit, Serbia e ka kuptuar që sido që të jetë Asociacioni i komunave, ai duhet të jetë brenda Kushtetutës së Kosovës.
“As Serbia nuk ka interes ta shtyjë, sepse e ka kuptuar që sido që të jetë ai asociacion, duhet të jetë brenda frymës së Kushtetutës së Kosovës. Ndërsa, ne e kemi atë frikën që mos po shtyhen kompetenca ekzekutive edhe mos po krijojmë një Bosnje të re, ose një ndarje edhe më të thellë të vendit, një gjë e cila nuk i konvenon Kosovës hiç se hiç, po në fakt nuk i konvenon aspak rajonit, sepse kriza do të vazhdohej”, tha ai.