Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili i ka rekomanduar Partisë Demokratike që t’i drejtohet BE-së lidhur me pretendimet e saj për reformën në drejtësi.
“PD duhet t’i kërkojë BE-së, në nivelet më të larta të Brukselit, të shprehet lidhur me pretendimet e saj dhe të kërkojë e të gjejë një zgjidhje të pranueshme me të, për këtë çështje të vetme që e pengon konsensusin”, ka deklaruar Vasili në një bashkëbisedim me mediat.
Nga ana tjetër, ka vijuar numri 2 i LSI, BE duhet të japë garanci për hapjen e negociatave të anëtarësimit në rast se reforma votohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.
“Dhe nëse BE dhe opozita nuk dakordësohen, përpara se reforma të votohet me votat e mazhorancës dhe ato individuale të disa deputetëve, BE duhet të na garantojë se do t’i hapë negociatat për anëtarësimin”, ka thënë Vasili.
Sipas tij, “këto garanci janë të domosdoshme pasi bëhet fjalë për hedhjen e një hapi shumë të rëndësishëm, që do të çojë në hapin tjetër shumë të rëndësishëm, atë të ecurisë së procesit të integrimit”.
“Ndërkohë, më duhet të them se jemi në një krizë të vërtetë kohe, ku edhe minutat janë të çmuara”, ka shtuar nënkryetari i LSI-së.
Ai tha se i sugjerojmë PD-së që t’i drejtohet Brukselit. “Nuk i kërkojmë PD të shkojë në Bruksel, i sugjerojmë ta bëjë këtë. Sa i takon kryeministrit, nuk kemi ç’t’i kërkojmë. Ai ka qenë i qartë edhe kur është shprehur për vijat e kuqe, që ka thënë se i ka vendosur Brukseli. Prandaj dhe ne po i sugjerojmë PD t’i drejtohet Brukselit. Kështu që kryeministrit Rama nuk mund t’i kërkohet më shumë se kaq. Sa i takon votave të LSI-së, ne nuk kemi nevojë të konfirmojmë gjë, sepse e kemi konfirmuar pak ditë më parë në komisionin për reformën në drejtësi. Atë që unë ju thash lidhur me raportin e Brukselit, ky është një qëndrim parimor, pasi një hap i tillë, për të miratuar një reformë vetëm me votat e mazhorancës dhe votat individuale të deputetëve të tjerë do të ishte në emër të një qëllimi madhor, integrimit”, theksoi petrit Vasili i LSI-së. /Telegrafi/