Telegrafi

Vashat tona marrin fitore të madhe në hendboll, mposhti Luksemburgun edhe pse kishin shumë mungesa

Kosova në hendboll në konkurrencën e femrave, ka fituar edhe në duelin e dytë, duke e mposhtur Luksemburgun me rezultatin 33:27.

Në Pallatin e Sporteve në Prishtinë, “Dardanet” dha paraqitje tejet të mirë në pjesën e parë, pavarësisht mungesave të shumta.

Kosova që nga fillimi ishte në epërsi, pavarësisht se i pati vetëm 10-të hendbolliste në dispozicion, prej tyre tri portiere.

Në pjesë e parë që përfundoi 16:9 në të mirë të Kosovës, luajtën vetëm shtatë lojtare. Te “Dardanet” pati telashe me lëndime dhe me coronavirus.

Në pjesën e dytë, skuadra e Kosovës e administroi mirë lojën në fillim, por Luksemburgu u rikthye në lojë.

Arriti që të afrohet në vetëm dy gola në fundin e ndeshjes, 27:25.

Sidoqoftë, të udhëhequrat e selektorit Shabani nuk lejuan befasi dhe arritën që të marrin edhe fitoren e dytë në Grupin A.

Pashke Marku u shpall lojtarja më e mirë në ndeshje dhe ishte më e dalluara me 10-të gola të shënuara. Nga tetë gola realizuan Albina Rugova-Tahirukaj dhe Suzana Ujkiq, pesë i pati Marigona Hajdari, ndërsa me nga një gol në fitore kontribuuan Aida Stagova dhe Alma Nivokazi.

Te Luksemburgu u paraqit Dea Dautaj që në këtë duel shënoi dy gola, ndërsa më e mira te mysafiret ishte Tina Welter me shtatë gola në total.

Ndeshjen e tretë dhe të fundit në fazën e parë kualifikuese për “Euro 2022”, Kosova e zhvillon të shtunën kundër Portugalisë.

I pranishëm në ndeshjes ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar me zëvendësministren për Kulturë, Rini dhe Sport, Daulina Osmani, ku pa ndeshjen dhe bisedoi me lojtaret tona, Arlinda Hajdari, Mirjeta Bytyqi e Areta Istrefi, që munguan shkaku i dëmtimeve.

Edhe ky duel zhvillohet në Prishtinë, ndërsa fituesi kalon tutje, pasi të dy skuadrat kane nga fitore në dy ndeshjet e para. /Telegrafi/