Përfaqësuesja U-18 e Kosovës ka mposhtur thellë bashkëmoshataret nga Uellsi sot në përballjen e zhvilluar në europianin e Tbilisit.
Kosova me këtë fitore ka ngritur mundësitë që të përfundojë e pesta në evropian, ndërsa sa i përket ndeshjes, për fituesin nuk ka pasur dilema pas pjesës së parë të ndeshjes.
Vajzat e Kosovës kanë pasur epërsi të madhe pas pjesës së parë të ndeshjes, duke mos lënë uellsianet të shënojnë as te çereku i parë e as te i dyti pikë dyshifrore, për të shkuar në pushim, 17-37, transmeton borozani.
Ky rezultat ka qenë i pakthyeshëm në pjesë të dytë për rivalet nga ishulli britanik dhe i ka sjellë fitoren e parë Kosovës në garë për vend të pestë, ndërsa të dytën në përgjithësi në këtë kampionat.
Adea Kastrati dhe Aulona Muhadri kanë shkëlqyer për Kosovën, duke shënuar 24 përkatësisht 13 pikë në këtë fitore, ndërsa kjo e fundit ka përfunduar ndeshjen me ‘double-double’ duke shtuar edhe 17 kërcime në ndeshje.