Telegrafi

Vashat e Kosovës të gatshme për ndeshjen me Malin e Zi

Është mbajtur edhe stërvitja e fundit para ndeshjes miqësore kundër Malit të Zi, e Përfaqësueses A të Kosovës – femrat, në stadiumin e KF ”Flamurtari” në Prishtinë.

Me përkushtim dhe zell kanë punuar shtabi teknik bashkë me futbollistet e grumbulluara.

Po mbretëron një atmosferë jashtëzakonisht e mirë si dhe një vullnet dhe dëshirë e madhe për fitore para shikuesve në Kosovë.

Pas stërvitjes ja se çka deklaruan përzgjedhësja dhe disa nga futbollistet.

“Kemi punuar mjaft për aq sa na ka premtuar koha. Meqenëse kemi shumë prurje të reja u përpoqëm të bëjmë kombinimet e duhura. Punuam në disa skema të lojës. Gjuajtjet e lira dhe gjuajtjet nga këndi”.

“Analizuam futbollistet një për një dhe secilin pozicion dhe tashmë e kemi në mendje përbërjen e parë”.

“Duke parë entuziazmin brenda grupit mendoj se do të kemi rezultat pozitiv, ndonëse në futboll asgjë nuk dihet deri në fund dhe kjo është magjia e futbollit”, ka deklaruar përzgjedhësja Afërdita Fazlija. /Telegrafi/