Sot në selinë e Federatës Evropiane të Hendbollit është hedhur shorti për kualifikim në çerekfinale në Kupën Evropiane EHF për vajza, aty ku në mesin e 16 më të mirave janë edhe vashat nga Çairi i Shkupit, njofton Telegrafi.
Skuadra WHC Çairi është përfaqësuesi i vetëm nga Maqedonia e Veriut në garën e femrave në Evropë, duke mësuar dhe kundërshtarin e radhës në 1/8 e finales së Kupës EHF. Hendbollistet e Çairit do të luajnë kundër Sllavia Pragës. Çairi me dy fitore arriti kualifikimin në fazën e 1/8-të, duke shkruar dhe histori në skenën evropiane.
Nga ekipi i Çairit kanë thënë se Sllavia e Pragës është një kundërshtar mjaft i fortë dhe shumë mirë i organizuar, që ka fituar katërmbëdhjetë herë titullin kampion të Çekisë, ndërsa kanë qenë edhe gjysmëfinalist në Kupën Evropiane.
“Bëhet fjalë për një ekip me traditë e cila edhe këtë sezon ka një ekip kompakt me lojtare cilësore. Ky do të jetë një mision jashtëzakonisht i vështirë, pasi përballja do të jetë me një skuadër me përvojë të jashtëzakonshme në këto nivele. E gjithë kjo paraqet një motiv shtesë për ne. Duam të dëshmojmë se jemi të gatshëm për ndeshje të këtyre niveleve dhe do të japim gjithçka nga vetja”, kanë thënë nga WHC Çairi.
Ndeshja e parë luhet më 11/12 janar në Pragë, ndërsa ndeshja e kthimit më 18/19 janar në Shkup. /Telegrafi/