Skuadra prizrenase e basketbollit për femra, Bashkimi, ka vazhduar traditën e saj të suksesshme duke fituar Kupën e Kosovës për herë të katërt radhazi dhe për herë të nëntë në histori.
Në finalen e luajtur të dielën në palestrën “Mizahir Isma” në Rahovec, Bashkimi mposhti skuadrën e Prishtinës me rezultatin 73:64.
Nën udhëheqjen e trajnerit kroat Viktor Kovac, Bashkimi tregoi dominim të qartë në pjesën e parë të ndeshjes.
Çerekun e parë e fitoi me 21:14, ndërsa të dytin me 18:10, duke mbyllur gjysma e parë me një epërsi të konsiderueshme prej 39:24.
Pavarësisht përpjekjeve të Prishtinës për t’u kthyer në lojë në çerekun e tretë, të cilin e fitoi me 25:12, Bashkimi ruajti kontrollin e ndeshjes.
Periudha e fundit u fitua nga skuadra prizrenase me rezultatin 22:15, duke siguruar fitoren dhe trofeun me rezultat 73:64.
Adrienne Godbold ishte lojtarja më e dalluar e Bashkimit, duke shënuar 22 pikë, 8 kërcime dhe 4 asistime.
Brittany Brianna Byrd kontribuoi me 19 pikë, 7 kërcime dhe 1 asistim, ndërsa Caterrion Thompson mbylli me 16 pikë dhe 6 kërcime.
Nga ana e Prishtinës, Tiffany Brown pati një performancë të mirë me 22 pikë, 7 kërcime dhe 5 asistime, por kjo nuk mjaftoi për të kthyer rezultatin.
Me këtë fitore, Bashkimi vazhdon të jetë një nga fuqitë më të mëdha të basketbollit kosovar.
Aktualisht, skuadra prizrenase është e para në kampionat me 25 pikë pas 13 ndeshjeve, ndërsa Prishtina është e dyta me 22 pikë pas 14 ndeshjeve. /Telegrafi/