Site icon Telegrafi

Vasfije Krasniqi Goodman: Duhet të flasim për dhunën që të marrim drejtësi (Video)

Vasfije Krasniqi Goodman, thotë se nuk ka qenë e lehtë periudha që kur foli për herë të parë para bashkëkombësave të saj për tmerrin që kishte përjetuar në duart e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë, megjithëse kishte folur më herët në Gjenevë dhe Kore për përvojën më të dhimbshme të jetës së saj.

“Por kur kam folur në Kosovë, ka qenë krejt diçka tjetër, se është më ndryshe të flasësh aty ku ka ndodhur rasti, në shtetin tonë. Por meqë unë fola, e theva heshtjen, tash jam më mirë, jam më e fortë dhe shpresoj t’u jap forcë dhe kurajo grave, burrave të tjerë për me folë në Kosovë publikisht”, tha ajo në një intervistë për Zërin e Amerikës nga studioja e Nju Jorkut.

Por që ta kuptosh plotësisht forcën e saj, si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, duhet të mos neglizhosh brishtësinë e saj dhe traumën që është gjithmonë e pranishme, e shprehur në formë emocionesh. Sepse Vasfija pothuajse nuk e dha intervistën për Zërin e Amerikës.

“Nuk mundem të flas”, tha ajo duke sugjeruar që Feride Rushiti, Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës në Kosovë, e cila po intervistohet me të, të flasë edhe në emër të saj.

Feridja me butësi, por pa e detyruar, e nxiti. Vasfija thotë se nëse të mbijetuarat e tjera nuk flasin dot publikisht, duhet ta bëjnë këtë privatisht.

“Me pas lirinë me folë me familjarët, me bashkëshortët, me prindët, me vëllazën, me motra e me pasë mbështetjen dhe përkrahjen se qysh e kam unë, jo veç prej familjes ime, se tash po kuptohet prej krejt kosovarëve, prej krejt shqiptarëve unë po kam mbështetje dhe përkrahje shumë të madhe”, tha ajo.

Në tetor të vitit të kaluar, Vasfije Krasniqi Goodman, e pushtuar nga emocionet, u bë e para e mbijetuar e dhunës seksuale nga forcat serbe gjatë luftës, që foli pa e fshehur identitetin. Me aktin e saj ajo i dha një fytyrë vuajtjes dhe tmerrit të mbi 20 mijë viktimave të tilla.

Zonja Goodman dhe Zonja Rushiti, ishin këtë javë në Nju Jork ku morën pjesë në një konferencë ndërkombëtare nën udhëheqjen e nobelistëve të paqes për kontributin e tyre në raport me viktimat e dhunës seksuale në luftë, Denis Mukwege Foundation dhe Nadia Murad, ku folën për përvojën e Kosovës.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet nga Vasfije Krasniqi Goodman

“Konferenca ka karakter ndërkombëtar që ka sjellë në vetvete shumë iniciativa botërore, por mbi të gjitha prej përvojave të botës që janë veçuar, është përvoja e Kosovës dhe përvoja e Kolumbisë, për vetë faktin që këto dy shtete veç kanë filluar të punojnë dhe të veprojnë në fushën e reparacionit të viktimave të dhunës seksuale”, tha zonja Rushiti.

Vasfije Krasniqi Goodman, në një mesazh për ata që kanë vuajtur si ajo, thotë se “kemi vuajtur në heshtje për 20 vjet”.

“Ne sa më shumë të heshtim, ne po mbrojmë serbin, po mbrojmë atë që bëri krimin, po shkatërrojmë veten, jetën tonë, kështuqë duhet me folë, mos me ia falë serbit, me e kuptu bota se çka ka ba edhe institucionet dhe shtetet për me na mbrojtë që Serbia me na kërku falje për rastet që ka ba dhe të japë dëmshpërblim për ato që bëri dhe me marrë drejtësi”, thotë ajo.

Zonja Rushiti thotë se organizata e saj dhe organizata të tjera kanë bërë përpjekje që të dëgjohet zëri i të mbijetuarve dhe se një nga objektivat kryesore u arrit vitin e kaluar kur institucionet e Kosovës, shprehën gadishmërinë për t’i njohur si viktima të luftës dhe për të dhënë kompensim në formë të një pensioni personal…

“… që nuk është vetëm kompensim monetar, është njohje e vuajtjes, njohje e dhimbjes dhe plagës shpirtërore të mbi 20 mijë grave dhe burrave, djemve dhe vajzave të cilët janë torturuar dhe dhunuar gjatë luftës”, tha ajo.

Por zonja Rushiti thotë se kompensimi nuk është është i mjaftueshëm. “Ne mendojmë se sfida e radhës për ne dhe për të gjitha të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës, është qasja në drejtësi për faktin se tani edhe 20 vite pas luftës nuk kemi një kriminel të vetëm prapa grilave, për krimin e bërë gjatë periudhës së luftës, prandaj është obligimi ynë por edhe i shoqërisë, edhe institucioneve që të bëjmë më tutje në fuqizimin e këtyre grave, vajzave dhe burrave për të kërkuar drejtësi pranë institucioneve të Kosovës”, thotë ajo.

Zonja Goodman dhe zonja Rushiti, jo vetëm që mishërojnë zërin e të mbijetuarave dhe të aktivistëve që janë bërë avokatët më të fuqishëm të tyre. Ato i sjellin me vete edhe në mënyrë simbolike.

Mbi bluzën e e zezë të zonjës Rushiti, rrëzëllen një lule të verdhë, që është bërë emblema e fushatës për sensibilizimin për sakrificat e të mbijetuarve nga dhuna seksuale gjatë luftës. Ndërsa mbi golfin e kuq të zonjës Goodman, bie në sy një varëse e veçantë. Është një nga krijimet e grave nga Kosova, që si ajo kanë mbijetuar … /VoA/

Exit mobile version