Zyrtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Liman Musliu, i është dhënë lamtumira e fundit.
Musliu ndërroi jetë të shtunën, gjatë punës së tij në ndërtimtari.
Ceremonia e varrimit u mbajt në fshatin Likoc, pranë Shtabit të UÇK-së.
Prokuroria e Prishtinës, të dielën njoftoi se Musliu dyshohet të ketë rënë nga kati i 11-të i një ndërtese gjatë punës.
“Dyshohet se një punëtor ka rënë prej katit të 11-të. Prokurori kujdestar dhe ai i Krimeve të Rënda kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë dhënë urdhër për autopsi dhe kanë ndërmarrë të gjitha veprimet së bashku me zyrtarët policorë”, tha zëdhënësi i Prokurorisë së Prishtinës, Skender Govori.
Aktualisht, Policia e Kosovës po e trajton rastin si “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”./Telegrafi/