Telegrafi

Varroset babai i Kadri Veselit – ish kryeparlamentari mungoi në varrim

Në prani të një numri të madh të qytetarëve, në fshatin Broboniq të Mitrovicës, është varrosur sot Fazli Veseli, babai i ish kryeparlamentarit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ai vdiq pikërisht në ditëlindjen e 94 të tij.

Kryetari i sapozgjedhur i PDK-së, Memli Krasniqi, nuk ka komentuar procedurat e drejtësisë rreth mungesës së Veselit në varrimin e babait të tij.

Sipas tij, në aspektin njerëzor dhe familjar, mungesa e veselit ishte e madhe.

Ai tha për të ndjerin se ka qenë simbol i rezistencës kombëtare.

“Unë nuk mund të komentojë procedurat e procesit të drejtësisë sepse nuk jam i njoftuar me to. Është ekipi mbrojtës që me sa jam njoftuar ka bërë kërkesën dhe është në pritje të një vendimi, por në kuptimin njerëzor dhe familjar ishte një ndjenjë e mungesës së zotit Veseli, besoj edhe për familjarët por edhe neve miqtë e tij…baca Fazli ka qenë simboli i vet rezistencës. Ka qenë simbol i prindërit të mirë por edhe të vuajtur që e ka heq edhe në lëkurën e tij dhe të familjes krejt kohën e sundimit serb mbi Kosovën dhe pa dyshim ka qenë njeriu i cili e ka brumosur edhe Kadriun dhe gjithë familjen me dashurinë për vendin por edhe me zellin patriotik dhe rezistencën e çlirimit”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, në emër të familjarëve foli Ismet Veseli, djali i madh i të ndjerit Fazli Veseli, i cili ka falënderuar të gjithë për pjesëmarrje, pa dallim.

Ai pavarësisht mungesës së vëllait të tij, ka falënderuar edhe përfaqësuesit e EULEX-it, për të cilët tha se i mundësuan ta shoh babanë sa ishte gjallë.

“Nuk është lehtë, por i falënderojmë edhe ata sepse kanë gjetur mirëkuptim sa ka qenë gjallë e ka pa. Tash nuk po bëhem i ligë. I kanë procedurat e veta unë s’po dua me u përzi”, theksoi Veseli.

Ndryshe, në maj të këtij viti, Kadri Veseli ishte liruar për vizitë nga Haga për ta vizituar babanë e tij që ndodhej në spitalin “Dr Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë.