Telegrafi

Varrimi i Kacifas, grekët e parë mbërrijnë në Kakavijë

Kanë mbërritur në Kakavijë shtetasit e parë grekë që do të marrin pjesë në varrimin Kostandinos Kacifas. Autobusi i parë nga Athina mbërriti rreth orës 5:30.

Autobusët janë nisur nga qyteti Selaniku, Athina, Patra dhe Janina. Më shumë se 2 000 njerëz pritet të jenë në funeralin e 35-vjeçarit, i cili mbeti i vrarë më 28 tetor në Bularat të Gjirokastrës, pas një shkëmbimi zjarri me forcat speciale RENEA, pasi më parë kishte qëlluar me automatik policinë.

Në ceremoninë e varrimit që do të paraprihet nga mesha në kishë do të marrin pjesë edhe qytetarë të tjerë nga Dropulli dhe bashkia tjetër minoritare e Finiqit. /Telegrafi/