Ministria italiane e shëndetësisë ka raportuar se ata kanë gjetur një pacient të infektuar me të njëjtin lloj mutacioni të coronavirusit si në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas The Guardian, përcjell Telegrafi, pacienti i infektuar u kthye ditëve të fundit në Itali nga Mbretëria e Bashkuar me partnerin e tij, kur zbritën në aeroportin Fiumiciano të Romës.
Bazuar në njoftimin e ministrisë, të dy gjenden në izolim.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka deklaruar se raste me llojin e ri të coronavirusit që u zbulua në Mbretërinë e Bashkuar, janë identifikuar edhe në Danimarkë, Holandë dhe në Australi.
Zyrtarët e lartë të shëndetësisë thanë se nuk kishte prova që varianti i ri ishte më vdekjeprurës, ose do të reagonte ndryshe ndaj vaksinave. /Telegrafi/