Në fillim të kësaj jave Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ka dërguar 282 mostra në një laborator në Gjermani për detektim të varianteve të reja të COVID-19, përkatësisht të mutacionit kolumbian “Mu”.
Rezultatet e këtyre mostrave pritet që të bëhen të ditura gjatë javës së ardhshme.
Por ekspertët e shëndetësisë po vlerësojnë se varianti “Mu” është më ngjitës dhe më i fshehtë, prandaj marrë parasysh përqindjen e vaksinimit në Kosovë paralajmërojnë edhe një valë të re të infektimeve gjatë vjeshtës.
Mikrobiologu Xhevat Jakupi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë se ky institucion nuk ka kapacitet për gjurmim të varianteve të reja të COVID-19, prandaj në fillim të kësaj jave kanë dërguar mostra në Gjermani, rezultatet e të cilave do të tregojnë nëse Kosova është prekur ose jo nga varianti kolumbian.
Ai tha se dërgimi i këtyre mostrave në Gjermani po bëhet përmes Qendrës për Kontroll të Sëmundjeve të Unionit Evropian.
“Brenda IKSHP-së nuk ka kapacitetet për sekuencionim të gjenomit të SARS-COV2 për këtë arsye ne mostrat në mënyrë të herëpashershme i dërgojmë jashtë Kosovës në laboratorët me të cilët kemi marrëveshje për këtë qëllim.Në fillim të kësaj jave, të hënën më 6 shtator, i kemi nisur 282 mostra të tjera për detektim të varianteve për sekuencionim që pastaj do të rezultojë me informata se çfarë variante tani janë në qarkullim e sipër. Ne natyrisht e kemi në plan që këtë program ta shfrytëzojmë në maksimum dhe gjatë javëve të ardhshme, ne do të dërgojmë prapë mostra jashtë Kosovës. […] Ne nuk kemi informata a kanë arritur apo ende, ato kanë arritur dje ose kanë mundur të arrijnë sot kështu që është herët që të kryhet procesi i sekuencionimit për 282 mostra të cilat janë dërguar, pritet në ditët të vijim besojmë që javën tjetër të merren rezultatet ”, theksoi ai.
Mikrobiologu Jakupi thotë se Instituti Kombëtar për Shëndet Publik nuk mund të bëjë detektimin e varianteve të SARS-COV2 pasi kanë mungesë të pajisjeve por edhe të ekspertëve të kësaj fushe.
Jakupi nga Departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHP thotë se tashmë janë në proces të blerjes së pajisjeve që do të mundësojnë që në muajt e ardhshëm të nisë detektimi i varianteve të reja edhe në vendin tonë.
“Ne nuk kemi pasur pajisje për të kryer këtë proces të punës dhe gjatë vitit të kaluar ne kemi filluar blerjen e pajisjeve, e kemi blerë një pjesë të pajisjeve të nevojshme, brenda këtij viti ne kemi nisur edhe një proces tjetër të blerjes së pajisjeve që kanë munguar përveç asaj që kemi siguruar në vitin paraprak dhe ky procesi i tenderimit ka zgjatur mjaftë shumë. […] Ne në Kosovë për momentin nuk kemi ekspertë për sekuencionim kështu që duhet të trajnohemi nga zeroja, kemi mungesë të plotë të një lëmie që quhet ekspertë të bioinformatikës dhe do të duhet të shqyrtojmë mundësinë se si këtë mangësi ta tejkalojmë përmes trajnimit të mikrobiologëve ose të lëmive të ngjashme që do të kenë mundësi të marrin njohuri”, deklaroi Jakupi.
Varianti “Mu” sipas profesionistëve shëndetësorë është më i rrezikshëm dhe më vdekjeprurës, prandaj kërkojnë vaksinim më masiv të qytetarëve të Kosovës.
Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Evropë, Aurora Dollenberg, vlerëson se vjeshta mund ta gjejë Kosovën, por edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, në një valë të re infektimit që do të shkaktojë varianti kolumbian.
“Dy shtylla kryesore ka mbrojtja ndaj varianteve të reja e para është vaksinimi, e dyta është vazhdimi i ruajtjes së masave mbrojtëse qoftë maskës, distancës sociale, higjienës secili shtet kategorizohet për nga rreziku që ka ndaj varianteve të reja në bazë të shifrës të të vaksinuarve që ka popullata dhe në bazë të disiplinës që ka çdo popull. Dhe në të dyja këto kolona, qoftë për përqindjen e vaksinimit, qoftë për disiplinën në ruajtjen prej infeksionit Kosova nuk është se po qëndron në vendet e para në listë në Evropë por përkundrazi në listën e fundit dimë që përqindja e të vaksinuarve është më pak sesa 20% dhe popullata sidomos në muajt e verës ku kanë pasur festime, turistë që kanë ardhur emigrantët nga jashtë të gjitha këto flasin për një prognozë jo shumë pozite për sa i përket vjeshtës kështu që Kosova sikur edhe Shqipëria por edhe vendet e tjera ballkanike duhet të jenë veçanërisht të parapërgatitura për një valë të katërt”, thotë Dollenberg.
Specialistja e mjekësisë familjare, Dollenberg për KosovaPress thotë se varianti “Mu” përhapet më lehtë dhe është më i fshehtë për t’u identifikuar.
“Varianti ‘Mu’ ka treguar në studimet e pakta që ekzistojnë deri tani se është akoma edhe më ngjitës dhe më infektues sesa ‘Delta’ dhe një fakt tjetër është më i fshehur sesa ‘Delta’, kështu që fakti që nuk e identifikojmë që në momentet e para tek pacientët e bën sëmundjen akoma më të rrezikshme dhe më vdekjeprurëse. […] Simptomat që shkakton variant ‘Mu’ nuk janë shumë tipike, janë të ngjashme me një ftohje shumë të lehtë e cila nga momenti në moment përkeqësohet pa pasur mundësi që mjeku ose edhe familjari për të shtruar në spital dhe për t’u trajtuar në kohë”, shprehet specialistja e mjekësisë familjare.
Infektologu, Arben Vishaj thotë se mundësitë janë që edhe qytetarët e Kosovës të infektohen me variantin “Mu”. Siç thotë ai klinicistët janë duke bërë përgatitjen e nevojshme për parandalimin dhe kontrollin e këtij mutacioni të ri.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive theksoi se vaksinimi është arma e vetme që të mos ballafaqohemi me mutacionet e reja që do të pësojë COVID-19.
“Ne ende nuk e kemi identifikuar këtë variant por një mundësi e ardhjes edhe këtij varianti ekziston dhe ne jemi duke u përgatitur që të jemi sa më funksional në drejtim të aktivizimit të tërë stafit tonë në parandalim dhe kontroll të sëmundjes. […] 07\40 Ajo që është e ditur dhe që është e rëndësishme është që aplikimi i masave parandaluese kundër epidemiologjike kanë mbështetje shkencore, ajo duhet të fuqizohet shumë më shumë edhe vaksinimi i popullatës në përgjithësi duhet të jetë sa më masiv i mundshëm, dhe ne tashmë nuk mund ta lëmë fatin tonë më mëshirën e transformimeve gjenetike të COVID, por ne do të mobilizohemi konform kapaciteteve tona në respektim të masave epidemiologjike dhe në vaksinim sa më të madh të popullatës që është e mundur pasi kjo neve na jep garanci që në të ardhmen mos të përballemi me valë të ashpra çfarë jemi përballur deri më tani”, u shpreh ai.
Varianti ‘Mu’ është zbuluar për herë të parë në Kolumbi, në janar të këtij viti. Ky variant është përhapur në 43 vende ndërsa raporti i epidemiologjisë i OBSH-së thotë se të dhënat paraprake tregojnë se ‘Mu’ duket se është më rezistent ndaj antitrupave.