Site icon Telegrafi

Varianti Delta po përhapet më shpejtë, Vitia: Pandemia COVID-19 larg përfundimit, arma e vetme kundër është vaksinimi 

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi sipas tij, pandemia COVID-19 është larg përfundimit.

Ai tha se pas një periudhe të konsiderueshme të qetë epidemiologjike të dhënat tregojnë se ka rritje të rasteve pozitive.

“Jemi këtu për të ndarë shqetësimin për rrezikun e përhapjes së coronavirusit për shkak të përhapjes me shpejtësi të variantit Delta në Kosovë, si në shumë vende tjera të botës”, tha ai, duke shtuar se OBSH po tërheq vëmendjen se Delta po është dominues dhe duhet forcuar përpjekjet për të ndaluar përhapjen, i cili për pasojë do të kishte mbushjen e spitaleve me pacientë, ngarkesën e personelit shëndetësor etj, pa përjashtuar edhe rastin më të keq mbylljen e veprimtarive sportive, kulturore, sociale e ekonomike.

Ai tha se duke qenë situata e tillë, duhet të veprojnë dhe të përdorim ato instrumente e mundësi që i kanë në dispozicion për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Pavarësisht të gjithave, arma e vetme kundër COVID-19 është vaksinimi dhe respektimi i masave në fuqi”, tha Vitia, duke rekomanduar shmangien e tubimeve, bartjen e maskave në vende të mbyllura, mbajtjen e higjienës.

“Nga ana jonë jemi kujdesur që gjatë këtyre muajve të situatës të qetë të ndërmarrim të gjitha masat që një valë e re të na gjejë të përgatitur”, tha ai.

Vitia bëri të ditur se për shumicën e barnave dhe materialeve shëndetësore nga liste esenciale aktiviteti i  prokurimit është në fazën finale, po vazhdon të shtrihet oksigjenimi qendror edhe aty ku ka munguar më herët.

“Dokumenti strategjik për COVID-19 është para finalizimit. Urdhëruesi klinik pritet shpejt të finalizohet”, tha ai.

Sipas tij, sot kur ka vaksina dhe kur ekziston mundësia e zgjedhjes, Pfizer ose AstraZeneca nuk ka asnjë arsye të vetme për tu mos u vaksinuar.

“Jemi ende shumë larg përfundimit të pandemisë dhe këtë duhet kuptuar të gjithë. Hezitimi për të vaksinuar vetëm do ta rëndojë situatën”, tha ai, duke shtuar se përkundur rritjes së interesimit, ka shumë komuna ku ende vërehet hezitim për të marr vaksinën.

“Marrja e dy doza të vaksinimit ulë rrezikun për tu sëmur rëndë dhe për të vdekur”.

Ministri i Shëndetësisë luti qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt sepse përhapja e shpejtë e variantit Delta është kërcënim. /Telegrafi/  

Exit mobile version