Të dhënat nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sugjerojnë një ngadalësim të hapit të rimëkëmbjes ekonomike, në një kohë që çmimet e lëndëve të para vijojnë rritjen.
Paralelisht me rritjen e infektimeve me variantin Delta të COVID-19, tregjet e aksioneve mund të dërgojnë shenja alarmi mbi parashikimin për ecurinë e ekonomisë, paralajmëron Deutsche Bank.
Ndërkohë që çmimet rriten, konsumatorët po e ulin kërkesën. Kjo është e kundërta e asaj që do të pritej, nëse mjedisi do të ishte vërtet inflacionist dhe kjo tregon se ekonomia botërore po ecën me shpejtësi të ulët, shprehen ekspertët e bankës gjermane.
Ndërkohë, me dollarin në nivelin më të lartë që nga fundi i muajit mars, të dhënat e fundit tregojnë se pozicionet afatgjata të dollarit kundër shportës me monedhat ndërkombëtare kanë prekur nivelin më të lartë që nga marsi i vitit 2020.
Vlerësimi i dollarit përballë euros dhe monedhave të tjera të vendeve në zhvillim është i papritur, duke pasur parasysh pasiguritë ekonomike.
Parashikimet në muajt e fundit dhe shenjat se ekonomia botërore do të rimëkëmbej ndjeshëm pas pandemisë COVID-19, bënë që tregjet e aksioneve të rriteshin në nivelet më të larta në histori. Por, përhapja me shpejtësi e variantit Delta në shumë vende të botës, po rikthen sërish frikën për një ngadalësim të ekonomisë botërore. /Telegrafi/