“Ne po punojmë shumë për të ndihmuar rajonin dhe për të përmbushur premtimin që Ballkani Perëndimor të hyjë në BE”, tha eurokomisioneri Oliver Varhelyi, prëcjell Telegrafi Maqedoni.
Ju mund të mbështeteni në angazhimin dhe mbështetjen tonë për Ballkanin Perëndimor. Ne po punojmë shumë për të ndihmuar rajonin me mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët dhe për të përmbushur premtimin që Ballkani Perëndimor të hyjë në BE, tha komisioneri evropian Oliver Varhelyi në video-fjalimin e tij në Forumin e Dytë Ekonomik në Shkup, të organizuar nga Forumi Ekonomik Dephi dhe Shoqata e Biznesit Grek, me fokus në prosperitetin e rajonit në kohë ndryshimesh.
Ai iu referua mbi të gjitha mbështetjes ekonomike për rajonin, duke përmendur planin ekonomik për investime që ka nisur dy vite më parë, në kuadër të të cilit deri më tani janë miratuar 40 projekte, grante prej 1.8 miliardë.
“Këto projekte ndikojnë në rritjen dhe përshpejtimin e bashkëpunimit ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe BE-së dhe duhet të përmirësojnë transportin, lidhjet digjitale dhe energjetike me BE-në. Këto investime do ta shtyjnë rajonin përpara me krijimin e vendeve të punës dhe rritjes. Ne festuam Marrëveshjen e Financimit të Beogradit me BEI dhe BERZH me projekte kryesore me vlerë 2.4 miliardë euro. Folëm për Korridorin 10, korridorin hekurudhor që lidh BE-në përmes Serbisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut me Greqinë në portin e Selanikut. Ne po ndërtojmë rrugë të gjelbra jo vetëm midis vendeve, por edhe midis rajoneve tona, BE-së dhe Ballkanit Perëndimor” theksoi Varhelyi.
Ai theksoi se vitin e kaluar në kuadër të procesit të Berlinit është arritur një depërtim i dukshëm në tregun rajonal.
Forumin e hapi kryeministri Dimitar Kovaçevski, ku u paralajmërua pjesëmarrja e disa politikanëve, ndër të cilët kryeministrat e Kosovës dhe Malit të Zi, Albin Kurti dhe Dritan Abazoviq./Telegrafi/