Site icon Telegrafi

Varhelyi për vizitë zyrtare në Shkup, inkurajon dialogun mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë

Komisioni Evropian gjatë ditës së djeshme publikoi raportet e rregullta për përparimin në reforma për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqinë si dhe planin investitor për rajonin.

Sipas raportit, për Maqedoninë e Veriut përparim është arritur në disa fusha, por në disa fusha nevojiten përpjekje shtesë siç janë mediat dhe ligjet për parandalim nga diskriminimi.

Komisari për Zgjerim dhe Fqinjësi të Mirë, Olvier Varhelyi sot do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Shkup dhe do ta paraqesë raportin e KE-së. Varhelyi do të ketë takim me kryeministrin Zaev dhe anëtarë të qeverisë. Po ashtu pritet që të ketë takim me presidentin Stevo Pendarovski, kreun e Kuvendit, Talat Xhaferin dhe me kreun e opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski.

Ai gjatë ditës së djeshme politikanëve të Qeverisë së Maqedonisë ju tha se duhet të investojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në dialogun me Bullgarinë me qëllim që të zgjidhen çështjet e hapura.

“Punojmë me autoritetet e Maqedonisë dhe të Bullgarisë, javën e kaluar pranova ministrin e Punëve të Jashtme dhe zëvendëskryeministrin. I inkurajova që të shoqërohen më shumë me fqinjin e tyre, për shkak se bëhet fjalë për interes të përbashkët për t’i gjetur zgjidhje që është e pranueshme për të dyja palët”, tha Varhelyi./Telegrafi/

Exit mobile version