Telegrafi

Varhelyi optimist në lidhje me mundësinë e anëtarësimit të RMV-së në BE deri në vitin 2030

Eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Oliver Varhelyi sot shprehi optimizëm lidhur me mundësinë që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian deri në vitin 2030.

Varhelyi , duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe përfaqësuesin e lartë të BE-së për politikën e jashtme të përbashkët dhe siguri Josep Borell, theksoi se ai është çdoherë optimist lidhur me anëtarësimin në BE, sepse kjo në të vërtetë është puna e tij.

“Si e parë, çdoherë jam optimist për anëtarësim në BE. kjo më është pjesë e përshkrimit të vendit të punës. Përgjigja është po. Jam absolutisht optimist. E thatë vitin 2030, këtë unë nuk mund ta them, mund të jetë më herët, mund të jetë më vonë. Gjithçka varet nga reformat e kryera nga ana e Maqedonisë së Veriut. Ne nga ana jonë konsiderojmë se dhamë sinjale mjaft të qarta dhe të fuqishme, nëse i shihni diskutimet e shefave tanë të qeverive dhe shteteve gjatë viteve të kaluara do të shihni se zgjerimi është prioritet për liderët tanë dhe për BE-në”, tha Varhelyi.

Eurokomisari për zgjerim theksoi se nëse Maqedonia e Veriut reflekton dhe i përmbushë kushtet për hyrje në BE do të ketë vendime pozitive nga ana e BE-së.

Ai në konferncën për shtyp theksoi se Takimi i 16-të i Këshillit për stabilizim dhe asociim, që për herë të parë mbahet në Shkup, e ka treguar nivelin e lartë të angazhimit. që e ka BE-ja me Maqedoninë e Veriut dhe lidhjet e fuqishme me vendin.

“Kjo gjithashtu duhet të kuptohet si sinjal i fuqishëm politik nga ne, nga BE-ja drejt Maqedonisë së Veriut, pa dallim nëse bëhet fjalë për zbatim të MSA-së, që është bazë e marrëdhënieve tona apo ndërkaq bëhet fjalë për marrëdhëniet tona ekonomike, politike, apo, ndërkaq, është vetë perspektiva e shtetit e kahëzuar drejt BE-së. Ajo që e simbolizon këtë takim është se Maqedonia e Veriut do të bëhet vend-anëtar i BE-së”, theksoi eurokomisari për zgjerim.