Site icon Telegrafi

Varhelyi: Ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen, Kuvendi tregoi qartë se janë të gatshëm për ndryshimet

Negociatat nisën, por ato mund të bllokohen në momentin kur do të duhet të hapet kushtetuta, sepse kështu ka paralajmëruar opozita maqedonase. Eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varhelyi tha se ndryshimet kushtetuese duhet të ndodhin, sepse si Qeveria ashtu edhe Kuvendi kanë marrë përgjegjësi për të vazhduar rrugën evropiane.

Ai bëri thirrje opozitës maqedonase që të jetë racionale dhe të punojë për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut.

“Propozimi francez përfshin një pjesë të kompetencave të Kuvendit dhe për këtë arsye ishte shumë e rëndësishme të dëgjohej Kuvendi nëse është i gatshëm të hyjë në një zgjidhje të tillë. E tregoi qartë se ata janë gati për një gjë të tillë. Shpresoj që tani e tutje, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, të punojnë për të ardhmen evropiane dhe nuk do të fillojnë me polemika dhe të ngjallin emocione që nuk do ta çojnë vendin përpara”- deklaroi Oliver Varhelyi, Eurokomisar për Zgjerim.

Nga ana tjetër kryeministri Dimitar Kovaçevski, vlerëson se është përgjegjësi e çdo politikani të mendojë për të ardhmen e gjeneratave të reja dhe për të ardhmen e vendit, prandaj sipas tij deputetet në Kuvend duhet të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese.

“Përgjegjësia është tek deputetët e opozitës që të marrin pjesë në këtë debat edhe në vazhdim. Ju thatë se ky është hapi i parë, do të ketë edhe shumë hapa të tjerë deri në anëtarësimin e plotë në BE dhe kjo është e saktë. Kuvendi e sjelli hapin e parë dhe Kuvendi është vendi ku duhet të miratohen edhe hapi i dytë, i tretë, i katërt e deri në anëtarësimin final të Maqedonisë së Veriut në BE. Është përgjegjësi e çdo politikani të mendoj për të ardhmen e shtetit dhe për të ardhmen e gjeneratave të ardhshme. Nuk guxon një politikan të mendoj vetëm për rejtingun e tij personal dhe në karrierën e tij politike”, pohoi Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

Konferenca e parë ndërqeveritare politike u mbajt sot, ndërsa e dyta do të mbahet vetëm pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të cilat i kërkon Republika e Bullgarisë. Ndërkohë sot filloi edhe zyrtarisht procesi i skriningut i cilido të zgjasë dy vite e gjysmë./TV21/

Exit mobile version