Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyi, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Republikës së Kosovës tha se raporti i BE-së për Kosovën këtë vit nuk ka qenë i favorshëm, duke shtuar se në këtë raport ka ndikuar gjendja politike e vitit të kaluar.
Varhelyi tha se zgjedhjet e parakohshme dhe ndërrimi i qeverive, në kohën kur vendi e bota po përballej me pandeminë COVID-19, kanë bërë që ky raport të mos jetë i favorshëm për Kosovën.
“Raporti i sivjetëm për Kosovën reflektoi kontestin politik të vitit të kaluar. Zgjedhjet e parakohshme, ndërrimi i dy qeverive në pikun e krizës më pandeminë. Në këtë kontekst, fatkeqësisht raporti nuk ka qenë i favorshëm, për të bërë progres në reformat e Bashkimit Evropian në Kosovë. Për të vënë prapë në fokus reformat, bashkë me kryeministrin Hoti, kemi arritur të dakordohemi për të vazhduar agjendën e ardhshme për reformat e BE-së, për të cilën sapo njoftuam”, tha ai. /Telegrafi/