Floyd Mayweather është ylli më i pasur në histori të boksit. Pesë herë kampioni i botës ka përfituar më shumë se kushdo tjetër gjatë karrierës së tij 21-vjeçare dhe pasuria e tij vlerësohet rreth një miliard dollarë.
40-vjeçari është bërë sinonim i jetës së bujshme dhe luksoze të Las Vegasit. Atje jeton, stërvitet dhe e ka grumbulluar pasurinë e tij të madhe.
Mirëpo, amerikani i pamposhtur e mësoi zanatin e tij në geton e Grand Rapids të Michiganit, ku përmes boksit gjeti një rrugë për të ikur nga droga, varfëria dhe dhuna, edhe pse kjo e fundit duket paksa ironike, kur kihet parasysh profesioni i tij.
“Nëse nuk e dëgjoje krismën e një arme brenda një javë, atëherë do të pyesje veten se çfarë po ndodhte”, ka rrëfyer boksieri i njohur me nofkën ‘Paraja’.
Shtëpi të shkatërruara dhe komunitete që vuajnë, nuk janë të panjohura në qytetet amerikane, e as rrugët që udhëhiqen nga krimi.
Mirëpo, rrugëtimi i Floydit drejt majës së sportit të vështirë, ka mundur të përfundojë akoma pa filluar. Ai ishte vetëm njëvjeçar kur ishte përdorur si mburojë njerëzore, vija e fundit e mbrojtjes ndërmjet babait të tij dhe dajës ‘Baboon’, i cili ishte i armatosur me një çifte dhe kërkonte hakmarrje pas një zënke me babanë e boksierit një javë më herët.
Plani i babait të tij duke e vënë në rrezik jetën e djalit për ta shpëtuar veten, pati sukses. ‘Baboon’ e largoi armën nga fëmija dhe e plagosi babanë e Mayweatherit në këmbë. Karriera e babait të Floyd u shkatërrua, ndërsa ndërmjet familjeve u krijua një armiqësi që zgjati me dekada.
Boksieri, edhe pse për disa vite qëndronte herë me nënën e herë me babanë, arriti që të shpëtojë nga vdekja dhe u rrit për t’u bërë boksieri më i madh në kategorinë e tij.
Emri Mayweather nuk ishte i panjohur në boks. Deri në kohën kur Floyd bëri debutimin profesional (1996), ai ishte anëtari i katërt i familjes që ngjitej në ring brenda disa dekadash. Babai i tij ishte i talentuar dhe u përpoq të fitonte titullin në kategorinë e peshave të lehta në duelin ndaj Sugar Ray Leonard në vitin 1978. Xhaxhallarët e tij, Jeff dhe Roger, po ashtu janë ndeshur në ring. I dyti ka qenë kampion botëror në dy kategori.
Ai e mori nofkën ‘Vrasësi Meksikan’ dhe ishte njeriu që më pas e stërviti Floydin. Në fakt, që të tre familjarët u angazhuan që t’i ndihmonin Mayweatherit të bëhej më i miri. Amerikani i famshëm ishte i destinuar që të bëhej boksier.
“E njihja boksin para se të njihja çfarëdo tjetër”, ka treguar më vonë Floyd.
Mayweather në lindje ishte pagëzuar me emrin Floyd Joy Sinclair duke marrë mbiemrin nga nëna e tij, Deborah, e cila vuante nga vartësia prej kokainës. Deri në moshën 11-vjeçare, boksieri nuk mundi ta ndërronte mbiemrin.
Gjyshja e tij ka treguar se Floyd kishte mbajtur dorëza edhe para se të ecte, ndërsa në moshën dyvjeçare, babai i tij kishte thënë se do të bëhej kampion botë.
Me vite të tëra, babai dhe djali i tij shkonin në palestrat Grand Rapids, ku babi i tij hodhi themelet për karrierën më fitimprurëse në historinë e boksit. Boksierët e çonin lartë Floydin që ta godiste thesin, ndërsa ai vraponte me babanë deri në 18 kilometra kur ishte vetëm 11 vjeçar.
Edhe pse u angazhua shumë për t’ia ndërtuar karrierën djalit të tij, përfshirjet e tij në krim bënë që ai të shkonte në burg. Në vitet e nëntëdhjeta Mayweather Sr. i kaloi pesë vjet e gjysmë në burg për posedim droge. Ai u lirua nga burgu në vitin 1998, ndërsa veçmë e kishte humbur fitimin e medaljes së bronztë të djalit të tij në Lojërat Olimpike dhe fillimin e karrierës së tij profesionale.
Burgosja e babait nuk ndikoi në vendosmërinë e Floydit për të arritur majën. Megjithatë, gjatë kohës sa e kishte babanë në burg, ai jetonte në varfëri dhe udhëtonte me nënën e tij nga Grand Rapids në New Brunswick të New Jerseyt.
“Kur isha rreth tetë ose nëntë vjeç, jetonim shtatë veta në një dhomë gjumi dhe nganjëherë nuk kishim rrymë. Pa ngrohje, pa ujë, pa asgjë. Asgjë. Unë jam rritur vet”.
“Kur njerëzit shohin se çfarë kam tash, ata nuk e kanë idenë se nga kam ardhur dhe si nuk kam pasur asgjë duke u rritur”, ka rrëfyer boksieri.
Pikërisht si fëmijë, Mayweather ishte betuar se asnjëherë nuk do të pinte alkool dhe nuk do të përdorte drogë.
“Për festa, asnjëherë nuk kishim festë. Nëna ime dilte dhe vidhte dhurata për mua. Ajo përpiqej, mirëpo ishte vështirë, prandaj unë kujdesem për të tash”.
“Boksi është shumë i lehtë… Jeta është shumë më e vështirë”, ka deklaruar Mayweather.
Jeta e vështirë e Floyd Mayweather mori fund nga momenti kur ai u bë boksier profesionist dhe pjesa tjetër është e shkruar në librat e historisë së boksit. /Telegrafi/