Site icon Telegrafi

Varfëria energjetike në RMV, KRRE propozon ndryshime

Numri i familjeve që marrin ndihmë financiare nga shteti për ngrohjen e shtëpive është i vogël dhe duhet të rritet. Kryetari i Komisionit Rregullator Energjetik, Marko Bislimovski, propozon një model të ri me të cilin shteti do të mund t’u përgjigjet më shumë amvisërive që nuk kanë para të mjaftueshme për të paguar faturat e energjisë elektrike. Ai thotë për Alsat se shteti duhet të mbulojë një pjesë të faturave, në vend që të transferojë para në xhirollogari.

“Një amvisëri, nëse ka të ardhura më të ulëta, duhet të marrë më shumë ndihmë. Siç rriten të ardhurat e asaj familjeje, duke marrë parasysh numrin e anëtarëve, duam t’i përfshijmë familjet me më shumë anëtarë. Në shumë raste, familjet kanë konsum të energjisë elektrike, por pronësia e matësit nuk është e asaj familje sepse mund të jetojnë me qira ose të mos e kenë zhvendosur matësin”, tha Marko Bislimovski, kryetar i KRE-së.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale thonë se përfituesit e ndihmës minimale të garantuar dhe të drejtës për sigurim social marrin edhe kompensim për mbulimin e shpenzimeve të energjisë për muajt e ngrohjes nga tetori deri në mars në shumë prej 1.000 denarëve në muaj. Autoritetet thonë se kjo ndihmë duhet të ofrohet derisa njerëzit të gjejnë punë përkatëse.

“Ndihma minimale e garantuar duhet të jetë mbështetje për personat që do të gjenden në rrezik social dhe jo një zgjidhje e përhershme, sepse cilësia e jetës së tyre përmirësohet me aktivizimin e tyre në tregun e punës”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Dëmi nga mos investimi në kapacitete energjetike në vitet e fundit ka bërë që koston e kësaj krize energjetike ta paguajnë qytetarët, por edhe kompanitë me kosto të shtuara për shfrytëzimin e energjisë elektrike.

Shteti aktualisht po ndihmon 45,000 familje për të kapërcyer varfërinë energjetike, dhe ky është edhe numri i përfituesve të ndihmës sociale. Hulumtimi i fundit i UNICEF-it tregon se çdo e katërta familje në Maqedoni nuk ka para të mjaftueshme për ta ngrohur shtëpinë./Alsat.mk

Exit mobile version